TIRANË- Gjykata ka lënë në burg tre të arrestuarit lidhur me vrasjen e Indrit Çelajt në Tiranë.

25 Gusht 2019, 13:23

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë në burg tre të arrestuarit lidhur me vrasjen e Indrit Çelajt në Tiranë. Në seancën e zhvilluar mesditën e sotme, togat e zeza kanë caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për Bujar Kusin, babanë e dy vëllezërve, të akuzuar për vrasjen e 26-vjeçarit dhe dy punëtorët, Ferdinand Bakalli 41 vjeç dhe Ali Sulën 43-vjeç, të cilët akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndërsa për punëtorin tjetër Luan Çakën është lënë në masën detyrim paraqitje. Për ReportTv avokati i Çakës, Ramis Billa tha se ai s'ka asnjë lidhje me krimin.

ReportTv ka mësuar nga burime brenda sallës së gjyqit se Indrit Çelaj është qëlluar fillimisht me armë pistoletë në tualetin e vilës së Bujar Kusit e më pas e hodhën jashtë banese me plagën e hapur në kokë. Kamerat e sigurisë të një lokali pranë vilës dhe kamerat e vetë vilës kanë dhënë për hetuesit prova të mjaftueshme për të ngritur ndaj Albano dhe Griseldo Kusit akuzën si të dyshuar për vrasje, ndërsa prej më shumë se 72 orësh ata janë në kërkim.