Tiranë Syri qytetar dhe punonjësi i Policisë janë kudo

23 Prill 2019, 11:41

Drejtuesit e papërgjegjshëm të automjeteve kanë rrezikuar të bëhen shkak për aksidente të frikshme në kryeqytet. Falë raportimeve nga qytetarët, dhe vëzhgimi i efektivëve rrugorë në terren, është bërë i mundur identifikimi i tyre dhe ndëshkimi me masë administrative. "Sheh diçka, thuaj diçka", është apeli që bën Policia e Shtetit ndaj qytetarëve për të raportuar çdo shkelje.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, policia shfaq tre episode të ndodhura në Tiranë. Një automjet që ecën me shpejtësi dhe bën manovër të gabuar në Bulevardin e Ri, një tjetër makinë që ecën me shpejtësi tej normave të lejuara duke u aksidentuar me një makinë të parkuar. Ndërsa një tjetër drejtues automjeti bën shkelje duke ecur në pedonale teksa para tij luajnë fëmijë.

"Të bësh drifting, të qarkullosh me shpejtësi të lartë, veçanërisht në qendrat e banuara, apo në shëtitore aty ku luajnë fëmijët dhe qarkullojnë këmbësorët, janë veprime që cenojnë dhe rrezikojnë sigurinë e jetës në rrugë dhe njëkohësisht shkelje që kushtojnë shumë", shkruan Policia Rrugore e Tiranës, teksa në të treja rastet shoferët janë gjobitur.