Tragjedia në Bulqizë/ I afërmi: Vajzat kishin ngrohur bukën mbi sobën me dru

18 Shkurt 2020, 13:05 | Përditesimi i fundit: 2020-02-18 15:39:22

BULQIZË - Merita 16-vjeçare, ende nuk e di se nëna, vëllai dhe motra e saj më e madhe, kanë ndërruar jetë më 14 shkurt në banesën e tyre, ku ajo mbijetoi. Sipas ekspertizës paraprake, Rajmonda 44 vjeç, Fatjoni dhe Rudina, ndërruan jetë si pasojë e asfiksisë nga tymi i përhapur nga soba me dru. Por administratori i njësisë administrative të Ostrenit, në Bulqizë, ku jeton familja Tola, jep detaje nga ajo se çfarë ai pa në momentin e parë kur u gjend në banesë. Ishte kunata, fqinje me familjen Tola e cila vuri re mungesën e Fatjonin 14 vjeçar në shkollë, pasi ishte në një klasë me djalin e saj, e për këtë arsye trokiti në derën e shtëpisë së Rajmondës, por askush nuk u përgjigj. Me mbërritjen e fqinjëve dhe të afërmve, mes të cilëve edhe administratori i cili i ka kushërinj Tolajt, Altin Tola thotë se nëna me dy fëmijët e pajetë, dhe 16-vjeçaren e mbijetuar, ishin të tre në kuzhinë. Mbi sobën e drurit ishte edhe buka, të cilën vajzat e shtëpisë e kishin ngrohur mbi sobë për të ngrënë darkën.

"Vajza rezulton që është për momentin më mirë seç ishte atë ditë. Ajo akoma nuk e di që kanë humbur jetën nëna dhe vëllai dhe motra e saj. Akoma nuk dihen shkaqet, pasi është bërë autopsia nga organet e shëndetësisë, edhe vajza është marrë në pyetje, por ajo është e trishtuar dhe nuk është në gjendje ta përballojë këtë situatë. Ndoshta me kalimin e kohës do reagojë dhe do tregojë versionin e saj të ngjarjes. Por aktualisht nuk ka dhënë ndonjë argument. Në momentin që shkova tek shtëpia, tre personat e tjerë kishin ndërruar jetë. Ndërsa dy kunatat e Rajmondës vajzën e kishin gjetur aty, kanë njoftuar policinë. Dy infermiere dhe shoferi i ambulancës kanë shkuar në shtëpi, dhe kanë parë që të nëna, vajza dhe djali kishin ndërruar jetë, dhe kishin parë Meritën që akoma ishte gjallë dhe kanë ndërhyrë për ndihmën e parë. Kur kanë ikur fëmijët e saj për në shkollë, kunata që e ka një fëmijë shokë klase me Fatjonin, ka kuptuar mungesën. Unë i kam pasur në kujdestari, se kam qenë mësues, ndjej një dhimbje tepër të madhe, sepse unë i kam edhe njerëzit e mi, janë kushërinjtë e mi.  Atë natë kanë qëndruar deri vonë tek kunata, djali dhe nëna, por darkën e kanë ngrënë në shtëpinë e tyre ku i prisnin vajzat, që ishin duke pjekur bukë tek soba e druve. Edhe bukët u gjetën, njëra e nxjerrë, dhe tjetra sipër sobës, një pjesë. Të gjithë janë gjetur në një dhomë, tek kuzhina, në pozicione të ndryshme", tregon Altin Tola.