Tragjedia në Ostren/ Del ekspertiza: Tre familjarët u asfiksuan nga tymi i sobës së drurit...e vetmja e mbijetuar kalon rrezikun për jetën

17 Shkurt 2020, 13:41

BULQIZË- Tragjedia në Ostren, ku humbën jetën tre pjesëtarë të familjes Tola ka ardhur si pasojë e asfiksimit nga soba e drurit me të cilin ngroheshin gjatë dimrit. Ky është përfundimi i dalë nga ekspertiza paraprake, kryer në Tiranë. 

Kjo ekspertizë hedh poshtë të gjitha misteret që mbuloi vdekjen e Rajmondës, Rudinës dhe Fatjonit. Fillimisht u raportua se kishte ardhur si pasojë e bombolës së gazit, më pas një shishe me pesticid që përdorej për patatet zgjeroi pistën e hetimit, teksa nuk u përjashtua edhe helmimi nga persona të tjerë. Megjithatë, të gjitha këto dyshime u shuan me daljen e ekspertizës paraprake, por edhe faktit se 16-vjeçarja, Merita Dola, e vetmja mbijetuar është trajtuar një QSUT për toksikim nga monoksidi i karbonit. Gjithashtu edhe nga marrja në pyetje e kunatës së Rajmondës, ajo që gjeti të pajetë tre personat, apo edhe personave të tjerë, kanë dëshmuar se kanë pasur një marrëdhënie shumë të mirë me pjesëtarët e familjes Tola, duke mos pasur asnjë motiv për t'i helmuar.