Transformohet blloku i banimit në Rr. 'Kel Kodheli' në Njësinë 7

21 Gusht 2019, 17:36

Blloku i banimit mes Rr. “Kel Kodheli” dhe “Skënder Shtylla” në Njësinë 7 në Tiranë ka ndryshuar tërësisht pamje. Bashkia e Tiranës ka ndërtuar 7 rrugë kryesore në një zonë ku dominojnë ndërtimet e pas viteve 1990, me vila 1-3 kate, por edhe pallate. Pasi inspektoi përfundimin e punimeve, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se realizimi i këtij investimi është treguesi më i mirë se premtimet nuk janë për fushatë.

“Kemi qenë këtu ditën e parë të fushatës dhe sigurisht, njerëzit gjithmonë thonë: ‘Hë se kjo bëhet për fushatë’! Fakti që jemi këtu sot në mes të verës do të thotë që ‘Jo’ nuk bëhet për fushatë, ishte një punë që duhej bërë dhe më vjen mirë që u bë me cilësi”, tha Veliaj. Teksa siguroi se Njësia 7 do të ketë një bum investimesh këtë mandat, kreu i Bashkisë shtoi se pavarësisht minorancave të zhurmshme, puna do të vijojë për rehabilitimin e lumit të Lanës e të Unazës së Re.