'Tri gra dhe Misugi', dashuri, pasion e tradhëti përmes gjakut të një shqiptareje

13 Shkurt 2019, 15:54

Pas disa shfaqjesh të sukseshme vitin e kaluar, klithma e dashurisë, pasionit dhe tradhëtisë rivjen sërish në 14 shkurt në skenën e Teatrit Eksperimental Kujtim Spahivogli përmes një drame japoneze. Bëhet fjalë për dramën “Tri gra dhe Misugi” bazuar në novelën e famshme “Çiftja” të shkrimtarit japonez Yasushi Inoue, që vjen nën interpretimin e Suela Bako, Romir Zalla dhe Anila Muçaj. 3 gra, bashkëshortja, e dashura nga një lidhje jashtëmartesore dhe vajza e kësaj të fundit i kanë shkruar secila një letër të njëjtit burrë (Misugit) . E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, aktorja Suela Bako e cila luan rolin e këtyre 3 personazheve të sipërpërmendur, tha se dashje pa dashje këto 3 gra japoneze vijnë përmes gjakut të saj duke u shkrirë me gruan shqiptare, që është vetë aktorja.

Më shijon shumë, por dua të them diçka. Është një shfaqje brenda shfaqjes. Do të thotë është një aktore që po përpëlitet me një regjisor i cili po ngren një monodramë për këto 3 gra. Fakti që unë kam vendosur një aktore që po përjeton këto 3 gra. Pra ne kemi mundësinë përgjatë shfaqjes që të shohim të gjithë procesin e aktores e cila në fakt përtej këtyre 3 grave ka një “feeling” karshi regjisorit . Pra ne kemi një marrëdhenie e cila ecën paralel mes regjisorit dhe aktores dhe Misugit i cili shkrihet me regjisorin dhe 3 grave që shkrihen me aktoren. Kjo aktore përfaqëson një grua shqiptare dhe patjetër që çdo personazh do kalojë përmes gjakut tim, përmes temperamentit tim, përmes energjisë time, botëkuptimit tim që është shumë i rëndësishëm, përmes të qënurit shqiptar. Dashje pa dashje këto 3 gra kanë mbërritur përmes një gjuhe të brendshme psikofizike shqiptare.

Suela Bako, aktore, regjisore

 

Nisur nga intensiteti dhe vështirësia e 3 roleve të saj, Bako foli edhe për vështirësinë në skenë të 3 personazheve që ajo sjell në një shfaqje të vetme, 3 karaktere të ndryshme që na shfaqin qënien njerëzore femërore deri në palcë që po përmes tyre ne njohim dhe mashkullin me pushtetin e tij. Për aktoren, “Tri gra dhe Misugi” është padyshim sipërmarrja më e rëndësishme aktoriale që ajo ka ndërmarrë deri më sot.

Impakti i parë së pari si femër karshi kësaj historie dhe këtij zbërthimi të botës femërore dhe pastaj si sfidë profesionale për ta mishëruar në skenë , kaq për kaq është kjo pjesë. Sot që flasin jam krenare për atë që kam realizuar, nuk kam ndonjë peng që pse nuk ia dola të bëj këtë apo atë, për mundësitë që kam pasur, për faktin që është një shfaqje që e kemi ndërtuar vetë, pa një regjisor, besoj që është bërë maksimumi. Ka qenë kjo sfidë profesionale që më ka shtyrë dhe më ka tërhequr drejt kësaj vepre. Kjo është sipërmarrja aktoriale më e rëndësishme deri më tani.

Suela Bako, aktore, regjisore

 “Tri gra” është një vepër tronditëse për pasionin njerëzor. Është historia tragjike e një pasioni të pamundur i shkruar në tri letra, që i drejtohen të njëjtin person nga tri gra të ndryshme. Në fillim të duket sikur kemi të bëjmë me një histori të zakonshme dashurie jashtë martese. Në fakt, Inoue do të japë verisonin e dashurisë së mallkuar, asaj që jo doemos do i rezistojë kohës. Kjo histori e jashtëzakonshme e letërsisë japoneze do të ngjitet në skenën e “Teatrit Eksperimental në datat 14,15,16,17 dhe 18 shkurt për të vijuar sërish javën pasardhëse.