Tritoli në makinën e Gjon Menës, Gjykata lë në burg Gjergj Cukalin

26 Shkurt 2021, 14:48

#reportTV #lajmeshqip #lajme TIRANË- Prishja e pazarit për vendosjen e tritolit biznesmenit Gjon Mena në Kamëz ka ndihmuar hetuesit të zbardhin autorët dhe porositësin e këtij krimi. Deklarimet e vëllezërve Enver dhe Edmond Jakimi se Gjergi Cukali u kish premtuar atyre 30 mijë euro po u kishte dhënë vetëm 2 mijë ka ndihmuar hetuesit të sigurojnë prova për të arrestuar edhe Cukalin. I njohur si i “forti” i Myslym Shyrit doli këtë të premte para gjykatës ku u njoh me akuzën dhe ndaj tij gjyqtari Sokol Tona me kërkesë të prokurorisë vendosi masën e arrestit në burg. Vetë Cukali dhe mbrojtja e mohuan versionin e dhënë nga 2 vëllezërit e arrestuar një javë më parë. Sipas hetimeve, ata rezultojnë se janë personat që kanë vendosur eksplozivin dhe pasi janë vënë përballë pamjeve filmike kanë pranuar përfshirjen në krim duke rrëfyer dhe porositësin.Ndërsa prokuroria kërkoi të mbeten në fuqi masat e arrestit deri në përfundim të hetimeve. Paraditen e 9 shkurtit në rrugën “Silvio Berluskoni” në Kamëz automjetit BMW të biznesmenit Mena iu vendos tritol i cili pas shpërthimit shkaktoi vetëm dëme materiale. Ende nuk është zbardhur motive i këtij krimi të porositur ndërsa pritet që vëllezërit e arrestuar dhe Cukali të ballafaqohen mes tyre në një tjetër seancë me kërkesë të prokurorisë. Vëllezërit rezultojnë se nuk kanë precedent penal apo të jenë skeduar në krime, ndërsa Cukali rezulton se ka edhe dënime të dhëna nga drejtësia shqiptare. Pak kohë më parë, ai u arrestua për vrasjen e Arben Bilalit në zonën e Selitës ndërsa u lirua për mungesë provash me vendim të Gjykatës së Apelit.Gjykata ka lënë në burg Gjergj Cukalin i cili akuzohet se ka porositur vënien e tritolit në makinën e biznesmenit Gjon Mena në Kamëz.