Trump nënshkruan: Jo më Lotari Amerikane

17 Maj 2019, 11:42

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër të ri ekzekutiv mbi emigracionin, të hartuar nga një ekip i kryesuar nga dhëndri i tij Jared Kushner, ligj që sipas presidentit është “i drejtë, modern dhe ligjor”.

"Zgjedhja e rastësishme e emigranteve është kundër vlerave amerikane dhe bllokon shumë emigrantë potencial të kualifikuar që kanë shumë për të ofruar në SHBA”-tha Trump në Kopshtin e Shtëpisë së Bardhë.

Propozimi i Shtëpisë së Bardhë mbi emigracionin mban të pandryshuar numrin e kartave të gjelbra të lëshuara për rreth 1.1 milion emigrantë në vit, por do të ndryshojë fokusi në mënyrën e përzgjedhjes së atyre që do të fitojnë të drejtën e pajisjes me Green Card, duke u dhënë prioritet individëve me kualifikim të lartë dhe të arsimuar, krahasuar me ata që kanë në SHBA lidhje familjareapo atyre me nevoja humanitare.

Sipas planit, 57% e vizave të emigracionit do t'u jepen njerëzve me aftësi profesionale dhe intelektuale ose me oferta pune dhe vetëm 33% për njerëzit me lidhje familjare.

Plani i ri për emigracionin eliminon plotësisht programin që njihet si Lotaria amerikane, i cili aktualisht jepet çdo vit për 50,000 njerëz nga vende me nivel të ulët të emigracionit në Shtetet e Bashkuara.

Trump tha gjithashtu se plani i tij "përshpejton lehtësimet për azilkërkuesit legjitim duke eliminuar pretendimet pa merita. Ata që nuk kanë pretendime legjitime do të kthehen menjëherë në shtëpi" shpjegoi presidenti.