Trump prezanton planin e paqes për Lindjen e Mesme: Jeruzalemi kryeqytet i bashkuar i shtetit hebre

29 Janar 2020, 13:04

Tetëdhjetë faqe për të ilustruar para botës një plan "thelbësisht të ndryshëm nga ai i administratave të mëparshme", i cili parashikon Jeruzalemin si kryeqytetin e "bashkuar" të shtetit të Izraelit por që në të njëjtën kohë parashikon krijimin e një shteti palestinez që do të ketë një kryeqytet në zonën e Jeruzalemit Lindor dhe i cili do të mbështetet nga 50 miliardë dollarë investime nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Ka pak detaje, por shumë politikë në "marrëveshjen e shekullit" të Donald Trump, propozimin e paqes së administratës amerikane për konfliktin izraelito-palestinez.

Trump si triumfues e paraqiti atë në Uashington së bashku Benjamin Netanyahun, kryeministri në largim, i cili do të përballet me kutitë e votimit më 2 mars, për herë të tretë në një vit.

Plani i Paqes është një dhuratë elektorale shumë e rëndësishme, për Netanyahun, i cili nga dita e djeshme është zyrtarisht i akuzuar për korrupsion.

Netanyahu fiton me planin e Trump njohjen e sovranitetit të izraelit mbi luginën e Jordanit, konfirmimin se Amerika njeh Jeruzalemin si kryeqytetin e shtetit hebre dhe, në thelb, premtimin se - sipas fjalëve të Netanyahut - "çështja e refugjatëve palestinezë do të zgjidhet jashtë kufijve të Izraelit", për të cilēn Trump propozon një ngrirje të çështjes së vendbanimeve për një periudhë 4 vjeçare, e nevojshme për të zyrtarizuar paqen.

Ajo që 'marrin' palestinezët nga Plani i Paqes është më pak e qartë. Shteti i pavarur palestinez që premton Trump, "do të dyfishojë territorin palestinez dhe do të krijojë një kryeqytet ku Shtetet e Bashkuara do të hapin një ambasadë", një shtet, pjesët e ndryshme të të cilit do të lidhen, siç tha Presidenti amerikan- me "rrugë, ura dhe tunele". Dhe, në fakt, për këtë do të jetë ndihma prej 50 miliardë dollarë.