Trupi i pajetë i gjendur në qytetin e Durrësit është dërguar në morg

18 Gusht 2019, 12:02

DURRËS - Trupi i pajetë i një mashkulli është gjetur nga një peshkarexhë, i dekompozuar në plazhin e Durrësit, ndërsa ka dyshime se ai mund të jetë vrarë dhe më pas të jetë hedhur në det.

Kjo, pasi nga këqyrja që i është bërë trupit të pajetë në morgun e Durrësit, rezulton se kufoma ka qenë e mbështjellë me letër natriban. Po ashtu, gazetari Artur Korriku, raporton se trupi i pajetë nuk i kishte fare gjymtyrët, as këmbët dhe as duart.

Ka qenë një anije peshkimi "Emiliano", ajo që ka konstatuar rreth 4 milje larg Durrësit kufomën në orët e para të mëngjesit. Sipas një njoftimi të policisë së Durrësit, anija ka ngritur rrjetat dhe ka konstatuar në rrjetë trupin e pajetë.

Me konstatimin e kufomës, ekuipazhi i anijes së peshkimit ka njoftuar me radio policinë. Ishte më tej Policia kufitare që e ka transportuar në portin detar e më tej trupi është dërguar në morg.

Nga ekspertiza mjeko-ligjore kufoma rezulton e dekompozuar dhe duhet të ketë më shumë se muaj në det.

"Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë  po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes", thotë policia në një njoftim paraprak për ngjarjen.