Turistët e huaj të mahnitur nga bukuritë natyrore në Valbonë

20 Gusht 2019, 16:54

TROPOJË- Parku kombëtar i Valbonës, me bukuritë e saj dhe jetesën tradicionale të komunitetit të kësaj zone, çdo stinë të vitit mbetet një nga destinacionet më tërheqëse për turistët. Lugina e Valbonës, në Tropojë, me terren të thepisur dhe me një kolor fantastik ngjyrash e bëjnë zonën që të frekuentohet në masë nga qindra turistë vendas dhe të huaj të apasionuar pas turizmit malor. Më aventurierët ngjiten në male deri në dy mijë metra lartësi, ndërsa të tjerët preferojnë të shëtisin përgjatë bregut të lumit e pranë ujëvarës. Për turistët Valbona është një vend i mrekullueshëm.

 “Kam lindur në Itali  Prindërit e mi janë shqiptar. Babi im është nga Tropoja, Çdo vit vijmë këtu. Vendi këtu është i mrekullueshëm dhe me kalimin e viteve është zhvilluar shumë. Është një vend shumë i mirë për të pushuar dhe për të jetuar”, shprehet një turiste.

“Të bësh hiking në Shqipëri është shumë bukur. Natyra është e mrekullueshme . Jemi shumë të lumtur që jemi këtu dhe tani do nisemi për Theth”, tha një tjetër.

“Dëgjova që është shumë bukur. Vendosa që të vij dhe nuk u zhgënjeva. Nuk shoh ndonjë gjë negative në Valbonë. Më pëlqen shumë këtu. Më pëlqen shumë natyra”, tha një tjetër.

 “Ne jemi nga Gjermania dhe po vizitojmë Shqipërinë për herë të parë. Na pelqen shumë”, u shpreh turisti.

Megjithatë, shtimi i turistëve ka bërë që policia të rrisë masat e sigurisë, ndërsa qendra shëndetësore gatishmërinë e saj për çdo urgjencë.