U prek nga tërmeti, Veliaj: Familjes nga Picalla do t’i ndërtohet shtëpia nga e para

29 Shtator 2019, 16:19

Pas tërmetit të së shtunës, familja me 7 anëtarë e Mynyr Stafës në Picallë të Petrelës po i kalon ditët dhe netët tek të afërmit, ndërsa një pjesë të oriendive dhe veshjeve i ruajnë në çadrën e ngritur pranë banesës së dëmtuar. Por, kjo situatë nuk do të vazhdojë gjatë, pasi Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, ka nisur nga puna për të ndërtuar nga e para shtëpinë e tyre të re.

“Këtu s’banohet më, është e pabanueshme; suvatimet në tokë, ju’a di për nder që na mbështetët”, thotë kryefamiljari, i cili pa sesi në pak sekonda iu shkatërrua mundi i shumë viteve punë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputeti i PS, Xhemal Qefalia, e siguroi familjen Stafa se Viti i Ri do t’i gjejë në një banesë të re. Ai theksoi se nën përkujdesjen e veçantë edhe të Kryeministrit, do të rindërtohen të gjitha banesat e dëmtuara. “Do ta rregullojmë shtëpinë për ty, për nusen, për 4 kalamajtë, për gjyshen. Më vjen mirë që, brenda javës, u bë vlerësimi i dëmit, erdhi firma. Kryeministri ka shprehur një merak shumë të veçantë për ta azhornuar përditë se ku jemi me shtëpitë. Shteti ka qenë në këmbë, sidomos në fillim, për shpëtimin e njerëzve dhe më pas në kohë rekord, për të vlerësuar të gjitha shtëpitë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se Petrela është një nga zonat më të prekura nga tërmeti, ku edhe cilësia e ndërtimit të banesave linte shumë për të dëshiruar. “Shtëpitë e ndërtuara në mënyrë modeste ishin të parat që u goditën. Po ashtu, do të ndërtohen të parat. Sigurisht, do të merremi edhe me ato shtëpi që kanë nevojë për suva e meremetime. Kryesisht janë shtëpitë e fukarenjve, e atyre që i kanë bërë me shumë mund, me mjete rrethanore, me kushte primitive, kështu që do t’u japim atyre rëndësi”, deklaroi ai.

    No videos found.