Varfëria "ulet këmbëkryq" në fshatin Picar të Vlorës

17 Mars 2019, 17:43

Sapo shkelim në këtë fshat duket qartë rruga e amortizuar, banesat thuajse të rrënuara, gati për të rënë dhe varfëria e cila është ulur këmbëkryq në shumë familje.

Ndalesën  e parë e bëjmë tek familja, Bexhete Izetaj, e cila na fton të shohim banesën e saj e cila vetëm e tillë nuk mund të quhet. Muret e rëna dhe të çara,  dritaret e mbuluara me batanije dhe frigoriferi bosh e shoqërojnë çdo ditë këtë familje.   

Familja Izetaj, përbëhet nga pesë pjestarë të cilët flenë në një dhomë, disa ne tokë e disa në krevate të shkatërruar.

Bexhetja tregon se jeta e tyre çdo ditë behet edhe më e veshtirë, ku i vetmi që mundohet të sjellë një të ardhur është  djali i saj i cili del nga shtëpia pa zbardhur dita dhe kthehet me natë, me shpresën se do gjejë një pune, por asgjë. E zonja e shtëpisë shprehet se jetojnë vetëm me 10 mijë lekë në muaj, të cilat shkojnë më së shumëti për ilaçe.

Ndërkohë nusja e djalit të saj, Rovena, tregon se ka dy femijë dhe se jeta është shumë e vështirë në Picar dhe sidomos në familjen e tyre. Sipas saj çdo mbrëmje flenë me shpresën që të ngrihen në mëngjes shëndoshë e mirë për shkak të amortizimit total të banesës së tyre.

Vetëm 10 metra me poshtë është banesa e Namik Halilaj, babit të 5 fëmijëve, i cili tashmë jeton i vetem për shkak të divrocit nga gruaja e tij. Ai tregon se është braktisur nga e shoqja për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, pasi ajo dhe fëmijët nuk mund të jetonin në atë situatë. Namiku tregon se ka disa vite që ka dalë nga burgu në Greqi dhe qe prej asaj kohe nuk di si ta jetojë jetën, pasi varfëria dhe papunësia ia bëjnë të pamundur atë.