Veliaj dhe Ambasadori i Izraelit, homazhe në Memorialin e Holokaustit, Kryebashkiaku: Koha të reflektojmë

27 Janar 2021, 13:11

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të viktimave të Holokaustit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri thirrje për reflektim dhe për të lënë pas kulturën e urrejtjes, përçarjes dhe shpifjeve. Ai, së bashku me Ambasadorin e Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, vizitoi stendat me foto dhe fakte historike të ekspozuara pranë Memorialit të Holokaustit te kodrat e Liqenit, ku u shpreh se kjo është një ditë për të cilën Shqipëria krenohet, sepse është një nga vendet e rralla në botë që strehoi dhe shpëtoi hebrenjtë.

“Sot është dita kur e gjithë bota, jo vetëm Shqipëria, reflekton mbi Holokaustin. Përkujtojmë një nga ngjarjet më tragjike të historisë sonë njerëzore, shfarosjen e 6 milionë hebrenjve. Ajo që ndodhi në vitet 1941-‘45 nuk filloi në vitin 1933. Kultura e urrejtjes, e përçarjes, e shpifjes dhe e damkosjes së tjetrit kishte nisur kohë më parë. Por, edhe pse sot jemi larg tragjedive si gjenocidi, kultura e përçarjes, e shpifjes, e damkosjes dhe e urrejtjes kultivohet ende; ka ende njerëz që akuzojnë pa fakte”, tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku tha se duhet të reflektojmë nga gabimet e së shkuarës dhe të ndahemi nga gjuha e urrejtjes. “Nuk ka rëndësi nëse je kryetar bashkie, ambasador, politikan etj., duhet të kuptojmë se ato që themi sot, vërtet nuk shkaktojnë gjenocid apo përplasje fizike, por në afatgjatë e helmojnë shoqërinë. Prandaj, është shumë e rëndësishme të mos i përsërisim gabimet, duhet të reflektojmë dhe të kuptojmë se, gabimet e së kaluarës, jo vetëm gjatë Holokaustit, por edhe me ngjizjen e gjuhës së urrejtjes dhe damkosjes së njerëzve për bindje ose etni, na çojnë në tragjedi të tilla”, deklaroi ai.