Veliaj: Do akordojmë një fond prej 1 mln dollarë për familjet e prekura nga tërmeti

22 Shtator 2019, 15:24

Bashkia e Tiranës do të vendosë në dispozicion 1 milionë dollar për këtë fazë të parë për kapërcimin e të gjitha pasojave që mund të kenë lënë tërmetet.  Teksa kontribuoi personalisht me ndihma për të prekurit në pikën e ngritur posaçërisht nga Bashkia e Tiranës pranë sheshit “Skënderbej”,  ku çdokush mund të japë rroba apo ushqime, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se janë marrë të gjithë masat për menaxhimin e kësaj situate. “Ne do të akordojmë një fond të Bashkisë së Tiranës, rreth 1 milionë dollar, le të themi për këtë fazë të parë të emergjencave. Do të kemi një mbledhje jashtë radhe të Këshillit Bashkiak, pikërisht për të adresuar këtë çështje dhe hequr paratë nga diçka tjetër dhe për t’u siguruar që adresohet ky problem”, u shpreh Veliaj.

Krahas mbledhjes së Këshillit Bashkiak dhe mbledhjes së shtabit të Emergjencave, do të ketë edhe një takim të posaçëm edhe me të gjithë administratorëve për planin organizativ. Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të kontaktojnë me administratorët e tyre për çdo nevojë, ndërsa shprehu gatishmërinë e Bashkisë për të mbështetur të gjithë ata që kanë nevojë.  “Dua që secili nga qytetarët të ketë një kontakt me administratorin. Administratori do të bëjë një inventar, me atë inventar ne do kuptojmë kush ka nevojë për ndërhyrje fizike, kush ka nevojë për ushqime e veshmbathje, kush ka nevojë pastaj për ndoshta ndihmë psikologjike. Ne do të angazhojmë të gjithë stafin psiko-social të çerdheve kopshteve e shkollave të Tiranës. Duke nisur nga dita e hënë jo vetëm shkollat do jenë në rregull por do ketë edhe staf I cili nëpër klasa do u shpjegojë fëmijëve sepse është shumë e rëndësishme që faza e shokut të mos na paralizojë si shoqëri”, nënvizoi Veliaj.