Veliaj fiton gjyqin, Gjykata e Tiranës dënon për shpifje Albana Vokshin: 1 milionë lekët shkojnë për shkollat e dëmtuara nga tërmeti

10 Tetor 2019, 15:32

TIRANE - Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë ka dënuar sot ish-deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi për akuzën e shpifjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Vendimi u mor paraditen e sotme dhe sipas verdiktit të gjykatës, ish-deputetja e PD-së, i detyrohet t’i paguajë një dëmshpërblim moral prej 1 milion lekësh kryetarit të Bashkisë së Tiranës, para të cilat do të shkojnë direkt në “Fondin e Edukimit”, i cili është krijuar për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore.

Veliaj e kishte paditur Vokshin për shpifje, lidhur me disa deklarata qe ish deputetja demokrate kishte bere nga selia e PD se po mbledh të dhënat e prindërve për fushatë në çerdhe dhe kopshte. 

Pak kohë më parë kryebashkiaku Veliaj fitoi gjyqin edhe ndaj ish-këshilltarit të PD-së, Akil Kraja, i cili u denua për shpifje. Lekët e dëmshpërblimit prej 1 milion lekësh Veliaj i dhuroi për pajisjen me kompjutera të shkollës “Isa Boletini” në Kodër-Kamzë. Kryebashkiaku Veliaj ka deklaruar se lekët e dëmshpërblimit për çdo gjyq me deputetët e PD do të shkojnë direkt në “Fondin e Edukimit”, i cili është krijuar për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore.

Gjykata e dënoi Vokshin për shpifje, Veliaj: Vlera e gjobës do shkojë për shkollat e dëmtuara nga tërmeti 

Pas vendimit të Gjykatës që dënoi për shpifje ish-deputeten demokrate Albana Vokshi, ka reaguar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Përmes një postimi në “Twitter”, ai thotë se ka vendosur që vlerën e gjobës ta dhurojë për kompjutera për shkollat e dëmtuara nga tërmeti në Vaqarr.

“Lindi si parti e ndryshimit demokratik dhe ka sot me shume shpifes te certifikuar sesa deputete! Kam vendosur ta dhuroj vleren e gjobes si kompjutera per shkollat e demtuara nga termeti ne Vaqarr. Fondi Solidaritetit  #Mos Shpif Mos Urre Mos Helmo”, shkruan kryebashkiaku Veliaj në “Twitter”.

    No videos found.