Veliaj me peshëngritësit Briken Çalja dhe Evangjeli Veli: Na bëni krenarë për sukseset tuaja! Model për të rinjtë shqiptarë

5 Mars 2021, 15:10

Evangjeli Veli dhe Briken Çalja do të përfaqësojnë Shqipërinë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes në Moskë. Të dy sportistët, së bashku me Presidentin e Federatës, Elez Gjoza, u pritën nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilëve u uroi suksese në garë dhe të na bëjnë krenarë.

Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza, premtoi se dy sportistët do të vijnë me medalje nga Kampionati Europian. “Faleminderit për përkushtimin, për angazhimin ndaj Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, jo vetëm tani, por edhe më herët”, u shpreh ai. 

Kryebashkiaku përgëzoi sportistët, por dhe Federatën e Peshëngritësve, për rezultatet në kampionatin kombëtar që u mbajt në qytetin e Durrësit, pas një viti pa aktivitete për shkak të pandemisë, ku Briken Çalja u shpall jo vetëm kampion kombëtar, por vendosi edhe dy rekorde të reja kombëtare.

“Jam shumë krenar për të dy kampionët tanë, Brikenin për meshkuj, i cili theu jo vetëm rekordin e tij kombëtar, por edhe atë europian. Mezi pres ta shohim të thyejë edhe zyrtarisht një rekord në garat europiane. Shumë urime gjithashtu edhe për Evin, e cila ka ikur e vogël nga Shqipëria, por fakti që s’e ka harruar, që mban uniformën e Tiranës, uniformën kuq e zi, më bën të ndihem shumë krenar”, tha ai.

Veliaj shtoi se në vitin 2022, që do të jetë viti i Tiranës - Kryeqyteti Europian i Rinisë, sporti do të ketë një vëmendje të veçantë. 

Dy kampionët falenderuan kreun e Bashkisë për mbështetjen e madhe që po i jep sportit, veçanërisht atij të peshëngritjes.