Veliaj në Rrogozhinë: Demokratët e thjeshtë ngrohen në diell dhe deputetë bëhen Mediu e Ndoka! Në LSI ka rënë tërmeti

17 Janar 2021, 11:13 | Përditesimi i fundit: 2021-01-17 11:14:32

Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, ishte në një bisedë me strukturat socialiste në Gosë të Rrogozhinës. Në fjalën e tij Veliaj tha se pasi opozita e ka humbur busullën.

 “LSI-ja është shpërbërë si kokoshi në një thelë. PD-ja e ka humbur fare busullën. Të jesh sot me PD-në duhet të ndihesh njeriu më i fyer në botë sepse ti si demokrat pret dhe shikon që Fatmir Mediu i Gërdecit caktohet kandidat për deputet apo Nard Ndoka me Dash Shehin. Pra, të jesh sot me PD-në duhet të jesh njeriu më i fyer nga partia jote sepse vendet t’i zënë këta që deri dje bëheshin meme - po kandidojnë të gjitha memet e rrjeteve, karikaturat e Instagramit, kurse demokrati i thjeshtë rri e ngrohet në diell, se ai do e marrë vesh i fundit”, u shpreh Veliaj.

Ai u shpreh se edhe LSI-ja me PDIU e kanë humbur moralin, pasi ngatërrojnë kauzat patriotike me pazare politike.

“Ankohen për përmbytjet, por një protestë e PD-së në Tiranë shkatërron më shumë dhe bën më shumë dëme financiare se përmbytja. Një djegie e tyre në Tiranë kushton më shumë se ngrica dhe të gjitha aksidentet që mund të ndodhin prej ngricave. Kur të bie tërmeti në parti, siç i ka rënë LSI-së, kur të zë ngrica dhe të kaplon dimri moral siç ka mbuluar PD-në, dhe kur ngatërron kauzat patriotike me pazaret politike, siç i ka ndodhur PDIU-së, ky po që është problem”, tha ndër të tjera Erion Veliaj.