Veliaj nis turin: Po mbyllim pagesat për tërmetin, spekulantët të mos përdorin fatkeqësinë për fushatë

1 Tetor 2020, 16:08 | Përditesimi i fundit: 2020-10-01 17:07:53

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka nisur një tur nëpër të gjitha njësitë administrative të Tiranës, për të ndjekur ecurinë e procesit të rindërtimit, por edhe për të inspektuar investimet e bashkisë në çdo zonë. Ai ishte sot në Njësinë 1, ku pasi u takua me punonjësit që merren me dosjet e dëmshpërblimeve të tërmetit për kategoritë DS1-DS2-DS3, vizitoi edhe familjen e Milanda Domit, e cila është dëmshpërblyer në masën 3.5 milion lekë për riparimin e apartamentit. Veliaj ishte edhe në familjen e gazetarit ikonë të lajmeve, Dhimitër Gjoka, familja e të cilit gjithashtu përfiton dëmshpërblim për riparimin e shtëpisë së dëmtuar nga tërmeti.