Veliaj: Shumica e shkollave nuk kanë dëmtime, i kemi inspektuar me 4 grupe ekspertësh

6 Dhjetor 2019, 22:59

Shumica dërrmuese e shkollave të Tiranës nuk kanë pësuar dëmtime dhe janë gati për t’u hapur. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion veliaj duke folur në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak ku u miratua edhe lista e dytë me përfituesit e bonusit të qirasë për familjet e dëmtuara nga tërmeti, theksoi se më shumë se 90 për qind e shkollave nuk kanë shfaqur probleme dhe janë të gatshme për të pritur nxënësit.

Ai bëri të ditur se të gjithë drejtorët e shkollave do të marrin në dorë akt-konstatimin e Institutit të Ndërtimit, i cili ka certifikuar sigurinë e tyre. Ai siguroi se për shkollat që kanë probleme dhe që kanë nevojë për ndërhyrje do bëhet transferimi i nxënësve në shkollën më të afërt.  

“Kemi tre ditë që kemi hapur çerdhet dhe kopshtet e Tiranës, çdo gjë ka vajtur fjolle. Drejtoreshat e çerdheve dhe kopshteve e kanë menaxhuar edhe situatën psikologjike, por edhe procesin e rifillimit në kopshte dhe çerdhe me shumë qetësi dhe pa panik. Ndaj do të doja t’i kërkoja dhe drejtorëve të shkollave të njëjtën gjë. Ne do të bëjmë një takim të dielën me gjithë drejtorët e shkollave, kështu që do ta dinë ekzaktësisht të hënën të gjithë shkollat që do hapen me akt konstatimi. Të gjitha shkollat që do mbyllen ose do të demolohen, siç është rasti i shkollës në Pezë, janë shkolla shumë të vogla, në Zallbastar apo në zona shumë të largëta periferike ku sigurisht do të bëhet akomodimi te shkolla më e afërt apo në shumë pak shkolla të kryeqytetit ku ne për meremetime do të duhet që të punojmë ndoshta edhe një 10 ditësh dhe ti hapim për vit të ri. Pra për 10 ditë shumë pak shkolla mund të zhvendosen. Por 90 e ca për qind e shkollave nuk kanë asnjë problem dhe do të vazhdojnë normalisht”, tha Veliaj.