Veliu: Me rëndësi ndërtimi i mekanizmave për të zbuluar korrupsionin

9 Tetor 2019, 14:55 | Përditesimi i fundit: 2019-10-09 14:56:08

Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit me misionin PAMECA V dhe Qendra e Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), kanë organizuar konferencën me temë "Qasje moderne për përmirësimin e integritetit në Policinë e Shtetit".

Në këtë konferencë, ishte i pranishëm edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili ka folur për punën që është bërë vitet e fundit nga policia.

Veliu e vuri theksin tek rekrutimi në Policinë e Shtetit, me qëllim që të arrihen rezultate të lartë dhe që të përmbushen objektivat në luftën kundër krimit dhe korropsionit.

“Integriteti është thembra e akilit për një organizatë ligjzbatuese, pasi integriteti personal i çdo punonjësi të policisë ndikon drejtpërsëdrejti në integritetin profesional në punën që ai kryen. Ndaj është e domosdoshme që në radhët e Policisë së Shtetit duhet të rekrutohen njerëz me integritet të lartë për të arritur rezultatet e dëshiruara në përmbushje të objektivave të përcaktuara. Integriteti i policisë është një pike kyçe për të gjitha institucionet ligjzbatuese, por në veçanti për Policinë e Shtetit, nisur nga tematika dhe gama e gjerë e aktiviteteve dhe detyrave që mbulon. Integriteti, etika, korrupsioni dhe çështje të tjera që lidhen me to prekin çdo strukturë e sektor të Policisë së Shtetit.”, tha Veliu.

Korrupsioni është një pikë tjetër në të cilin është ndaluar Drejtori i Policisë, ku tha se janë marrë masa në të gjithë nivelet e Policisë së Shtetit, për të luftuar këtë fenomen.

    No videos found.