Vendoset në fundjavë! Klubet e Kategorisë së Parë duan ndryshimin e formulës së kampionatit

24 Shtator 2020, 13:20

Nisja e sezonit të ri futbollistik dhe konkretisht të Superligës është në pikëpyetje për shkak të kërkesave të Ligës Profesioniste ndaj qeverisë, por nëse do të flasim për Kategorinë e Parë enigmat shtohen akoma edhe më shumë. Kjo për shkak se formula e kësaj kategoria ka gjasa të ndryshojë, si rrjedhojë e përjashtimit të Elbasanit dhe Erzenit, klube që nuk morën dot licensimin.

Aktualisht 20 skuadrat e kategorisë së parë ndahen në dy grupe, veri dhe jug, por duke qenë se dy skuadra janë përjashtuar mbeten 18. Së fundmi shumica e tyre kanë shprehur dëshirën që të gjitha të marrin pjesën në një grup të vetëm, por FSHF nuk e pëlqen shumë këtë skemë.

Gjithçka do të bëhet më e qartë kur Komisioni i Apelit të japë vendimin në fundjavë për Erzenin dhe Elbasanin, pasi dy klubet pretendojnë se në fund nuk do përjashtohen. Por në të dy rastet, pavarësisht dëshirës së klubeve, FSHF parapëlqen skemën aktuale me dy grupe.

Pra veriu dhe jugu do të kenë nga 9 skuadra secila, ndërsa pas janarit do të bëjnë play-off pesë prej tyre dhe katër të tjerat play-out.