'Venecia': Meta shkeli Kushtetutën me dekretin për anulimin e zgjedhjeve, shkarkimin e gjykon Kuvendi

27 Shtator 2019, 20:59

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën me dekretin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Shqiptarja.com ka siguruar draftin e Komisionit të Venecias që evidenton shkeljen e Kushtetutës nga Ilir Meta. Në draft theksohet qartë dhe prerë se Presidenti nuk ka kompetencë për anulimin e zgjedhjeve. Komisioni Venecias thotë se anulimi i zgjedhjeve sipas legjislacionit shqiptar bëhet kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme, apo një marrëveshje të gjerë politike. Por në rastin e anulimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit, kjo procedurë nuk është respektuar.

"Presidenti shkeli kushtetutën kur anuloi zgjedhjet dhe vendosi shtyrjen e tyre pa pasur një kompetencë të tillë në kushtetute e në ligj. Anulimi i zgjedhjeve dhe më tej shtyrja e tyre cënoi të drejtën e shtetasve për të zgjedhur. Zgjedhjet lokale mund te anulohen vetëm në situata emergjente, por edhe në këtë rast duhet vepruar në përputhje me parashikimet kushtetuese, dispozitat e ligjit ose në bazë të zgjidhjeve ligjore ad-hoc, (rregulla te vendosura me ligj, të përkohshme).

Presidenti nuk e ka këtë pushtet. Anulimi i zgjedhjeve sipas legjislacionit vendas bëhet kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme, procedurë që normohet nga Kushtetuta. Në rastin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, kjo procedurë nuk është respektuar. Anulimi i zgjedhjeve nga Presidenti nuk i ka paraprirë as ndonjë marrëveshjeje politike për të krijuar zgjidhje ligjore ad-hoc.

Presidenti ka tejkaluar kompetencën e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale tej mandatit elektoral pa u bazuar në baze ligjore të posacme. Kompetencat e Presidentit sipas Kushtetutës sa i takon caktimit të datës së zgjedhjeve (neni 92/gj dhe 94) nuk i japin Presidentit të drejtën e shfuqizimit të aktit te vet për caktimin e datës së zgjedhjevethuhet në draft. 

Procedura e shkarkimit të Presidentit thuhet në opinion, është proces ligjor dhe politik. Por cili është opinioni i Komisionit të Venecias për shkeljen që ka kryer Ilir Meta? "Shkeljet mund të mos jenë mjaftueshëm të natyrës së rëndë, por edhe nëse janë të tilla, nisur nga kompetencat që ka seanca plenare e Kuvendit për të respektuar qëllimet kushtetuese, si kontrollin dhe balancën, është ai organi që i merr në konsideratë të gjithë sa më sipër për të vendosur shkarkimin e Presidentit. 

Është kompetencë e Kuvendit dhe më tej e Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë nëse shkelje e Kushtetutës nga ana e Presidentit është e rëndë apo jo. Procedura e shkarkimit te Presidentit është proces ligjor dhe politik. Mbetet ne vendimarrjen e seancës plenare të Kuvendit të vendosë për natyrën e shkeljes dhe rëndësinë e saj, që mund të përligjin shkarkimin e Presidentit" thotë komisioni i Venecias.

Komisioni i Venecias ligjëron 30 Qershorin, pavarësisht dekretit të Metës dhe bojkotit të opozitës. "Bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nese ata perfaqesojne nje pjese te madhe te votuesve nuk mund te ndaloje zhvillimin e zgjedhjeve te rregullta. Perndryshe, keto parti do te fitonin mundesine/avantazhin/leven te pengonin cdo proces zgjedhor" thuhet në vijim në draft.

Por si erdhëm në këtë situatë? Në datë 8 Qershor, pak orë para zhvillimit të protestës së radhës nga opozita para Kryeministrisë, Presidenti Ilir Meta anuloi zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, ndërsa më pas si argument përdori një informacion, që sipas tij kishte ardhur në zyrën e kreut të shtetit nga SHISH që paralajmëronte se do të digjej Kuvendi nga tubimi i dhunshëm.

Megjithatë, pavarësisht bojkotit të opozitës dhe vendimit të Presidentit për të anuluar 30 Qershorin dhe dekretuar 13 Tetorin si datë të re zgjedhjesh, shumica i realizoi zgjedhjet lokale dhe ngriti një komision hetimor për shkarkimin e Ilir Metës.

Në kuadër të hetimit nga komisioni i ngritur, Kuvendi i Shqipërisë i drejtoi një letër me tetë pyetje Komisionit të Venecias për të dhënë opinionin e tyre nëse e ka shkelur Meta Kushtetutën apo jo? Në datë 11 Shtator ekspertët e Komisionit të Venecias ishin në Tiranë ku u takuan me palët politike dhe Presidentin dhe deklaruan se në 11 Tetor do të nxjerrin raportin, draftin e cilit Shqiptarja.com e siguroi dhe publikoi ditën e sotme.

    No videos found.