'Venecia': Projektligji për pronat i paqartë, merr shumë fuqi qeveria, duhet të rishikohet

11 Tetor 2019, 15:17

Komisioni i Venecias ka publikuar thelbin e kërkesave dhe shkeljeve që janë konstatuar nga ekspertët në projektligjin “Për procedurat Kalimtare të Pronësisë”. Sipas opinionit të Venecias projektligjit për të drejtat e pronësisë i mungon qartësia. Pasi kanë mbledhur faktet në muajin shtator, ekspertët e Venecias kanë arritur në përfundimin se ky draft i lejon Këshillit të Ministrave të ketë fuqi të lartë rregullatore për të ndërhyrë në përfundimin e proceseve të pronësisë, apo thënë ndryshe regjistrimin e pronave që janë të paregjistruara në vend.  Ndër të tjera në opinionin e përmbledhur të Venecias thuhet se ka disa elementë që mund ta bëjnë projektligjin të papajtueshëm me Protokollin e Parë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën shqiptare. Ekspertët e Komisionit të Venecias, kërkojnë që të merren në konsideratë të gjitha rekomandimet e dhëna, si dhe Shqipëria të kërkojë mbështetje nga Këshilli i Evropës për ri-hartimin e projekt-ligjit dhe zbatimin e tij të mëvonshëm.

"Në një mendim të dytë për Shqipërinë, të kërkuar gjithashtu nga Kryetari i parlamentit shqiptar dhe miratuar sot, Komisioni i Venecias bën thirrje për rishqyrtimin e projektligjit për të drejtat e pasurive të paluajtshme, një temë e rregulluar përmes ligjeve të ndryshme të diskutueshme që prej dekadash. Ndërsa pranojnë qëllimin e ligjvënësit për të zgjidhur këtë çështje afatgjatë, ekspertët zbulojnë se projektligjit të propozuar (për përfundimin e proceseve të pronësisë kalimtare) "i mungon qartësia dhe saktësia", siç është mungesa e hapave themelorë procedural dhe afatet e përcaktuara qartë. Ekspertët janë të shqetësuar për fuqinë e tepruar rregullatore që i atribuohet Këshillit të Ministrave sipas projektligjit. Të kombinuara, këta elementë mund ta bëjnë projektligjin të papajtueshëm me Protokollin e Parë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën shqiptare. Autoritetet janë të ftuar të rishqyrtojnë projektligjin duke shqyrtuar rekomandimet e bëra në opinion dhe, nëse është nevoja, legjislacionin ekzistues ose të planifikuar në lidhje me të. Komisioni i Venecias sugjeron gjithashtu që Shqipëria mund të kërkojë mbështetje përmes bashkëpunimit ekzistues me Këshillin e Evropës në ri-hartimin e projekt-ligjit dhe zbatimin e tij të mëvonshëm" mbyllet deklarata, ndërsa të hënën do të publikohet opinioni i plotë në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias.

    No videos found.