Vetëm 1 vit në burg për 4 mina me telekomandë, Gjykata e Lezhës liron vëllain e Alketa Vejsiut

18 Tetor 2019, 14:36

LEZHE -  Gjykata e Lezhës ka liruar nga qelia e burgut Endrit Vejsiun, vëllanë e moderatores Alketa Vejsiu i cili u arrestua një vit më parë me 4 mina me telekomandë dhe 3 kg lëndë narkotike.

Endrit Vejsiu u dënua me 6 vite burg për dy vepra penale "Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike" dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Pavarësisht dënimit Vejsiu nuk do të qëndrojë në burg pasi përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi i shkon në 4 vite heqje lirie, të cilat sipas gjykatës ai do t'i shlyejë pjesën e mbetur të dënimit me shërbim prove për një periudhë kohore prej 5 vitesh dhe jo pas hekurave. Vendimi u dha nga trupa gjykuese e kryesuar nga Artan Hajredinaj.Endrit Vejsiu u arrestua nga policia e Lezhës mbrëmjen e 30 shtatorit të vitit 2018, pasi në aksin rrugor Milot-Lezhë, në automjetin e tij u gjeten të fshehura  4 mina me telekomandë dhe 3 kilogramë kanabis. Nga hetimet e prokurorisë, Vejsiu rezulton se ka shërbyer si korrier i një personi tjetër, që kishte si synim të trafikonte katër mina nga porti i Shëngjinit në drejtim të Italisë.

5 vite shërbim prove, Gjykata: të lirohet nga burgu "Jordan Misja"

Për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së narkotikëve", gjykata e dënoi Endrit Vejsiun me 5 vite burgim.  Për "mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve", armëve shpërthyese dhe municionit, gjykata e dënoi me 5 vite, pra 10 vite në total për të dyja veprat. Por në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, me bashkimin e dënimeve për disa vepra penale ndaj tij u mor një dënim i vetëm prej 6 vite burgim. Në sajë të gjykimit të shkurtuar, Endrit Vejsiut i ulet 1/3 e dënimit, dhe përfundimisht dënohet me 4 vite burgim, thotë Gjykata e Lezhës në vendimin e saj marrë më 15 tetor.

"Në aplikim te nenit 59 te Kodit Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të pjesës së dënimit të mbetur pavuajtur, duke e vënë në provë të pandehurin, për një periudhë kohe prei 5 vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe, duke filluar nga dita e nesërme e shpalljes së këtij vendimi, i pandehuri të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës Zyra Vendore Tiranë", thuhet në vendimin e Gjykatës që e ka dënuar përfundimisht me 5 vite shërbim prove. Me këtë vendim shuhet edhe masa e arrestit dhënë nga Gjykata më 2 tetor 2018 dhe lirimi i tij nga burgu "Jordan Misja".