Vëzhgimi i Report Tv/ Familjarët jashtë QSUT-së presin një lajm të mirë

4 Gusht 2020, 17:45

Prej 5 muajsh vendi ynë po përballet me epideminë Covid-19 ndaj dhe në spitale janë marrë masa për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi. Në ambjentet e jashtme të QSUT shohim familjarë të cilët rrinë në pritje për të marrë informacione për të afërmit e tyre të cilët janë të shtruar në spitale. Por fatkeqësisht ajo cka vihet re është se krijohen grumbullime të qytetarëve të cilët herë janë me maska e herë janë pa maska. Këto grumbullime pa ruajtje distance dhe pa maska mund të bëhen një shkaktar i përhapjes së Covid-19 duke rrezikuar kështu jetën e çdo qytetari. 

Nën temperaturat e larta te gushtit, duke mos i lejuar të futen brenda, familjarë të pacientëve qëndrojnë në pritje. Maska nuk është e detyrueshme në ambiente të hapura, ama në momentin kur kemi grumbullime është e rekomandueshme ta përdorim pasi mbron shëndetin tonë. Gjatë 5 muajve të pandemisë, pamja që të ofron QSUT nuk ka ndryshuar shumë, qytetarët vijojnë të qëndrojnë pa distancë e pa maska.