Vëzhgimi/ Si zaptohen vendet e parkimeve në Tiranë nga makinat e "të fortëve"

13 Shkurt 2019, 15:07

Parkimet e gabuara vijojnë të mbeten nga shkeljet më flagrante që drejtuesit e automjeteve kryejnë çdo ditë në Tiranë. Me hapësirat dhe numrin e mjeteve që qarkullojnë në kryeqytet, sigurisht që parkimi mbetet problem, por kjo nuk e justifikon aspak parkimin ku të mundesh, në trotuar, në rresht për dy në vendkalim këmbësorësh apo në korsi specifike.

Për këtë arsye ReportTV bëri një vëzhgim në disa prej akseve kryesore ku vuri re se shkeljet nga drejtuesit e automjeteve ishin të shumta.

Parkimet e gabuara shpesh herë sjellin vështirësi në qarkullim, si dhe nuk përjashtohen rastet kur bëhen burim aksidentesh. Edhe pse policia ka ndërmarrë masa të shumta ndëshkuese ka drejtues automjetesh që nuk i binden urdhrave. Vetëm në javën që lamë pas një numër i konsiderueshëm masash penalizuan drejtuesit e automjeteve ku të shumta ishin makinat luksoze të etiketuara si makinat e “të fortëve” të cilët u gjobitën pa asnjë tolerancë.

Shpesh herë policia ka ndërmarrë fushata sensibilizuese me qëllim përmirësimin e sjelljes në rrugë për drejtuesit e automjeteve si dhe  minimizimin e shkeljeve.