Viti i ri akademik/ Tirana 'parajsa' për studentët, disa degë në rrethe drejt mbylljes! 'Braktiset' mësuesia

14 Tetor 2019, 16:00 | Përditesimi i fundit: 2019-10-14 20:58:39

TIRANË- 14 tetori ka qenë një e hënë normale në disa qytete të Shqipërisë, me një panoramë që nuk i ngjan pothuajse aspak nisjes së vitit të ri akademik.

Në dyert e universiteteve çdo vit e më shumë janë paraqitur më pak studentë duke bërë që disa prej degëve të mbyllen, madje në Kukës situata është më dramatike, pasi filiali i Universitetit të Tiranës nuk i ka hapur dyer për të gjashtin vit radhazi. Rritja e notës mesatare në mësuesi në 7.5, përtej synimit real për rritur cilësinë e mësuesve që do edukojnë brezin e ri, ka sjellë pasoja negative: e uljen e numrit të nxënësve në këto degë. 

Në Gjirokastër ka klasa që nuk arrijnë të kalojnë numrin maksimal të 5 nxënësve në histori-gjeografi apo gjuhë-letërsi , e ndërsa në Shkodër në degën e fizikës janë "0" regjistrime. Një nga shkaqet kryesore që Universitetet e rretheve kanë më pak studentë, ka të bëjë me dëshirën e të rinjve për të studiuar dhe jetuar në Tiranë, edhe pse kjo përkthehet në më shumë kosto ekonomike për ta dhe familjen e tyre.