Vlerësimet e godinave/ Oketa te '5 Pyetjet': Ekspertët s'kanë lënë shenja të sakta, qytetarët të paqartë

9 Dhjetor 2019, 22:51

TIRANE-Ish-zv/kryeministri Gazment Oketa në qeverinë Berisha, aktualisht anëtar i Këshillit Kombëtar të kësaj partie ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në studion e emisionit '5 Pyetjet nga Babaramo' në Report Tv. Oketa tha se ekspertët që kanë qenë dhe po vijojnë punën në terren nuk kanë lënë gjurmë dhe shenja të sakta për banorët që të kuptojnë nëse godina e banimit të tyre duhet prishur apo restauruar.

"Nga sa unë kam prekur në terren grupet e inspektimit nuk kanë lënë gjurmë apo shenja të sakta për banorët, që ata të kuptojnë nëse janë për t'u prishur, restauruar apo kanë dëmtime serioze. Nuk dua të abuzoj se nuk kam informacion zyrtar, por ajo që kam konstatuar, psh; ekspertët francezë dhe ato izraelitë përdorin të njëjtët shenjat për ato godina që markojnë? Nëse do të shikoni godinat ka shenja me ngjyrë portokalli, diku blu, diku e gjelbër, diku ku është një tabelë që mban logon e bashkisë IKMT me shënimin që kjo është e banueshme. Por ka banesa të tjera ku qytetarët janë të paqartë dhe të pa informuar. Kam vizituar sot dy banesa dhe në gjykimin tim nuk kishte arsye se përse banorët të mos riktheheshin. Ndoshta për inerci të inspektimit të parë ekspertët morën masën më ekstreme duke vendosur shiritin dhe ato shenja kanë mbetur. Duhet ecur më shpejt me kategorizimin e objekteve dhe të jetë më e qartë si do të operohet me rikonstruksionin e godinave" tha ai.