Voda në 'Pa Protokoll': Në fshat të gjithë kanë qëndruar në çadra pranë pronave

6 Dhjetor 2019, 21:54

TIRANË - Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Rovena Voda tha se janë instaluar në Manzë 15 banesa portabile, të cilat ofrojnë të gjithë kushtet për të jetuar, dhe se kjo skemë do të përhapet edhe në zona të tjera, veçanërisht ato rurale ku banorët kanë zgjedhur të qëndrojnë në çadra pranë pronave të tyre. Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga qyteti i Durrësit për emisionin "Pa Protokoll" në Report Tv, Voda tha se verifikimet në terren po kryhen në mënyrë intensive për të bërë vlerësimin me ekspertë të godinave, ku bilanci i objekteve që duhen shembur nxjerr në pah një sfidë të madhe për rindërtimin e Shqipërisë.

Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit shënoi 51 viktima, kryesisht në Durrës e Thumanë, ndërsa nxorri në pah një problematikë të madhe të ndërtimeve në Shqipëri, ku pësuan dëme të shumta edhe pallate të ndërtuara vitet e fundit.

Rovena Voda: Situata është në një proces dinamik, gjërat lëvizin me shpejtësi. Më sfiduesja qe kemi është akomodimi i njerëzve, vazhdon në Durrës të merren vendim për prishje godinat. Janë shembur 30 godina, nga të cilat 19 janë vetëm në Bashkinë e Durrës. Grupet e inxhinierëve janë kthyer nga terreni dhe mbledhin të dhënat që ne i publikojmë nesër. Verifikimet në terren i kemi intensifikuar.

Në strukturat hoteliere në Durrës, janë mbi 2500 banorë të cilët janë strehuar në hotele. Janë të pastrehë ose që shtëpitë e tyre janë me dëmtime të rënda. Banorë të zonave rurale janë në çadra, rreth 600 familje që jetojnë në çadra. Ende ka banorë që vijnë dhe interesohen. Ka banorë që kanë shkuar tek të afërmit në qytetet e tjera.  Fshatrat kanë preferuar të qëndrojnë pranë pronave të tyre  dhe jetojnë në çadra dimërore, specifike për këtë periudhë të dimrit. Ata e kanë jetën e lidhur me tokën dhe kanë pranuar të qëndrojnë në çadra dimërore pranë pronës së tyre. Sot në Manzë kemi instaluar 15 banesa portabile të një cilësie shumë të mirë, ishte kënaqësi e jashtëzakonshme kur shikoje familje të futeshin në kushte të mira. Të njëjtën skemë do të mundohemi që shumë shpejt ta përhapim edhe në zonat e tjera.