Vrau gruan me armën e shërbimit, gardisti Alket Arapaj del para gjykatës

15 Shkurt 2019, 12:44 | Përditesimi i fundit: 2019-02-15 17:21:30

Gardisti Alket Arapaj, i cili tre ditë më parë vrau bashkëshorten e tij me armën e shërbimit, ka dalë këtë të premte para trupës gjyqësore të Krimeve të Rënda, e cila ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" pa afat.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin 12 shkurtit, rreth orës 06.00, ku 44-vjeçari Alket Arapaj, me detyrë punonjës i Gardës së Republikës vrau me armën e shërbimit bashkëshorten e tij 36 vjeçe Ervilma Seferaj në ambientet e apartamentit ku banonin në zonën e Alliasit në Tiranë.

Ndërkohë pas ndodhjes së ngjarjes, 44-vjeçari u arrestua menjëherë nga shërbimet e policisë ndërsa kanë qenë fqinjët ata që kanë njoftuar fillimisht policinë pasi dëgjuan të shtënat me armë zjarri dhe fëmijën duke qarë.  Shkak për vrasjen dyshohet xhelozia, pasi  Alket Arapaj autori i vrasjes është shprehur, pas ngjarjes se bashkëshorten e vrau pasi ajo e tradhtonte. Çifti kishte dhe një fëmijë 3 vjeçar, i cili është gjendur në dhomë ngjitur me ambientin ku ishte kryer krimi.