Zbardhet relacioni për shkarkimin e Arben Malajt, qeveria: Shkeli rëndë kodin etik

12 Dhjetor 2019, 18:21

Është publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit arsyetimi i Këshillit të Ministrave lidhur me kërkesën për pezullimin e Arben Malajt nga detyra e tij si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Arsyeja kryesore janë daljet publike të ish ministrit të Financave Arben Malaj. Në relacion thuhet se Shërbimi i Monitorimit i ka përcjellë Kuvendit shqetësimin për rastet e daljeve publike të anëtarit të Këshillit që shpesh kanë qenë me karakter politik, qëndrime personale, të palidhura me politika mbikëqyrjeje të Bankës së Shqipërisë dhe që nuk gjejnë asnjë referim në çështje të diskutuara në veprimtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Personi i propozuar për shkarkim gjatë ushtrimit të detyrës ka shkelur rëndë etikën e punës dhe ka cenuar thellë interesat e Bankës së Shqipërisë” thuhet më tej në relacion.

Për sa më lart Këshilli i Ministrave i ka kërkuar edhe Këshillit Mbikëqyrës që të marrë në shqyrtim zbatimin e Kodit të Etikës nga anëtarët dhe të dalë me një vlerësim përfundimtar lidhur me zotin Malaj. Por, pavarësisht se ka kërkuar dy muaj më parë një vlerësim për këtë rast, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Këshilli Mbikëqyrës.

Për këtë arsye Këshilli i Ministrave argumenton se ky është një refuzim pa asnjë justifikim ligjor, ndaj një sjelljeje joetike.  Me tej vazhdon duke thënë se ky është refuzim i hapur i respektimit dhe zbatimit të ligjit mbi të cilin anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës duhet të udhëhiqen dhe tentativë për pengimin e Kuvendit për të zbatuar ligjin në një rast evident të shkeljes së tij.

Në mungesë të një përgjigjeje nga Banka e Shqipërisë, Këshilli i Ministrave shprehet se do të ndjekë të gjitha hapat e duhura, konkretisht duke  i propozuar Kuvendit shkarkimin nga detyra të Arben Malajt.