Basha takim me kandidatët e 25 prillit: Misioni ynë për të sjell ndryshimin vijon maksimalisht!

4 Maj 2021, 18:23 | Përditesimi i fundit: 2021-05-04 19:27:07

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur në selinë blu, deputetët e zgjedhur dhe kandidatët jo fitues në zgjedhjet e 25 prillit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Basha u ka kërkuar deputetëve dhe kandidatëve jo fitues, që të vazhdojnë betejën për faktimin e shkeljeve që janë bërë në zgjedhje. Po ashtu mësohet se Basha ka deklaruar se fushata dhe misioni i tyre për të sjellë ndryshimin në Shqipëri vazhdon me fuqi maksimale. Mësohet se Basha do të dalë në terren që të takojë dhe të dëgjojë qytetarët. Sakaq kryedemokrati është shprehur se pavarësisht humbjes, PD ka pasur rezultate të mira.

‘Dua të falenderoj secilin nga ju. Ju keni punuar shumë fort me besimin e palëkundur në rrugën tonë, në demokracinë tonë, në vendin tonë. Pavarësisht vjedhjes më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë të kryer nga Rama-Doshi, ne sollëm një arritje të madhe për partinë tonë dhe për vendin tonë. Ne, pa hequr dorë nga vlerat tona, u bëmë më të fortë kudo.

Tani do të luftojmë me të gjitha fuqinë tonë derisa në fitore. Fushata jonë nuk ka mbaruar, ajo vazhdon me energji maksimale. Unë do takoj njerëzit në terren, për t’i falënderuar, për të biseduar me ta, për t’i dëgjuar, duke ju kërkoj që edhe ju të bëni të njëjtën gjë në ditët në vijim. Së bashku do të fitojmë!

Fushata dhe misioni ynë për të sjellë ndryshimin në Shqipëri vazhdon me fuqi maksimale.  Pavarësisht vjedhjes më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë, PD u bë më e forte se kurrë!’- mësohet të ketë thënë Basha.