Zgjedhjet në Parlamentin Europian/ Sondazhet nxjerrin fituese partinë e Merkelit, Macron pëson disfatë

26 Maj 2019, 22:41

Kanë përfunduar votimet për Parlamentin Europian në disa shtete. Sipas rezultateve paraprak duket se sondazhet e para flasin për një fitore të pro-europianëve.

Kështu sipas Exit Polleve, në Gjermani konfirmohet fitues grupimi CDU/CSU i kancelares Angela Merkel me 27.5% të votave, por me një rënie prej 8% krahasuar me zgjedhjet e fundit për në PE. Rritje në Gjermani ka pasur edhe Partia e Gjelbër, e cila sipas sondazheve pritet të marrë 20.8% të votave me një rritje prej 10% me vitin 2014, duke u konfirmuar kështu partia e dytë.

Ndërsa në Francë, sondazhet tregojnë fituese ekstremistët e djathtë të Marine Le Pen me rreth 23-25% të votave kundrejt 19-22% të partisë së Presidentit Emmanuel Macron. Kujtojmë se Le Pen ka bërë thirrje për shpërndarje të parlamentit dhe ndryshim të sistemit zgjedhor në proporcional.

Ndërkohë në Greqi, Demokracia e Re, partia e qendrës së djathtë të kryesuar nga Kyriakos Mitsotakis, ka parakaluar partinë e kryeministrit Alexis Tsipras. Demokracia e Re sipas sondazheve pritet të arrijë një fitore me 25-29% të votave.

Nisur nga rezultate paraprake Partitë Popullore Evropiane, edhe pse mbeten grupimi më i madh në Parlamentin Evropian, nuk kanë shumicën, pasi pritet të marrin 177 vende nga 751 në total. Kështu për të siguruar shumicën, Partive Popullore Euvropiane i duhet të bëjnë aleancë me konservatorët ose edhe me liberal demokratët, në mënyrë që të kenë 320 vende në Parlamentin Europian.

Ndërkohë sa i përket pjesëmarrjes, raportohet një votim masiv në të gjitha vendet e BE-së. Në Gjermani mësohet se pjesëmarrja e votuesve ka qenë në masën 60%, një numër ky që nuk regjistrohej që prej bashkimit të dy Gjermanive në vitin 1989.

Votimi në 21 vendet e BE-së u hap sot në orën 07:00, dhe do të dërgojnë pothuajse gjysmën e të gjithë deputetëve në Parlamentin Evropian: 348 nga gjithsej 751.