Zgjidhet problemi i ujit të pijshëm në Yzberisht dhe Unazën e Re/ Veliaj: Investimi më i madh në 20 vite për kryqytetin

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me UKT-së dhe ndihmës nga BERZH-i ka nisur investimin më të madh në 20 vitet e fundit në ujësjellës, për të dyfishuar kapacitetin përpunues dhe filtrues të ujit në impiantin e Bovillës, si dhe për të ndërtuar një linjë të re transmetimi, e cila rrit ndjeshëm furnizimin me ujë për qytetarët, veçanërisht ata që jetojnë në periferi.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të UKT-së, Redi Molla, inspektuan punimet që po kryhen për rritjen e kapacitetit filtrues të Bovillës, ndërsa theksoi se ky investim i përgjigjet zhvillimit demografik që ka pësuar Tirana në afro dy dekada.

Jam jashtëzakonisht i impresionuar: Është një nga ditët më të ftohta të vitit, megjithatë vlon puna në impiantin e Bovillës. Para 20 vitesh, Tirana kishte gjysmën e popullsisë, me dyfishimin e popullsisë, janë dyfishuar nevojat për ujë. Ndaj, po fillojmë dyfishimin e impiantit të Bovillës. Është një ditë historike për ujësjellës-kanalizimet, jo vetëm të Tiranës, por të Shqipërisë, sepse 1/3 e popullsisë jeton në Tiranë. Ky është ndoshta investimi më i madh pas 20 vitesh për kryeqytetin shqiptar, kur vjen puna te furnizimi me ujë.

Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës

Nisja e këtij investimi, për kryebashkiakun e Tiranës shenjon nisjen e realizimit të premtimit se Tirana do të ketë 24 orë ujë në 5 vjet. “Ashtu siç kemi premtuar, kjo shënon edhe nisjen e kronometrit për premtimin tonë të 5 viteve: ‘Tirana, ujë 24 orë’. Ka qenë një betejë! Beteja në Këshillin Bashkiak, betejë politike. Faktet janë kokëforta, Tirana ka ende sot ujin më të lirë nga qytetet kryesore në Republikën e Shqipërisë, e megjithatë, ne prapë do të vazhdojmë për t’u siguruar që administrohet mirë çdo qindarkë, që me këto investime dhe ndihmën që na dha BERZH-i, të besojmë te reforma jonë e ujit, si një nga ujësjellësit që ka performuar më mirë vitin e kaluar”, tha kryebashkiaku.

Investimi do të kryhet në dy faza, ku njëra prek rritjen e kapacitetit përpunues të ujit në Bovillë, çka krijon mundësinë që UKT të ketë më shumë ujë për të shpërndarë në rrjet.

“Fillojmë menjëherë punën, fillimisht me impiantin, për ta çuar deri në dyfish sasinë e ujit që filtrohet, dekantohet, sterilizohet, dezinfektohet në këtë impiant. Nga shtimi i këtij impianti do të përfitojë kryesisht zona e Yzberishit, zona e Astirit, zona e Unazës së Re, dhjetëra pallate që kanë ardhur aty kohët e fundit, e që kanë qenë më parë në Komunën e Kasharit. Megjithatë, vetëm një pjesë e furnizimit me ujë i mjafton Yzberishit, pjesa tjetër do shkojë për Kombinatin, për Laprakën, edhe për Kodër-Kamzën. Pra, ‘Tirana - Qytet’, ‘Tirana e vjetër’, do të jetë gjithashtu përfituese e këtij projekti.

Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës

Ndërkohë, faza e dytë parashikon nisjen e punës për shtrimin e një rrjeti të ri të transmetimit të ujit nga Bovilla në qytet, ku përfituesit kryesor do jenë kryesisht zonat fundore të Tiranës, si zona e Astirit dhe Unazës së Re.

Faza e dytë, ka të bëjë me një linjë të dedikuar transmetimi. Për këdo që ka kaluar mes Paskuqanit dhe Kamzës, për të ardhur në impiantin e Bovillës, e ka parë sesi linja e vjetër, është kthyer në një kulluese makaronash. Nuk dua t’i hyj sesi u abuzua me ujin dhe sesi u përçudnuan rrjetet e transmetimit, të njëjtën histori Shqipëria kaloi edhe me energjinë, por ajo që di të them është se do të kemi një linjë të re transmetimi që nuk mund të shpohet, që nuk mund të aksesohet nga vandalët që duan të vjedhin ujin. Kjo linjë e dedikuar do të shkojë nga këtu direkt në Yzberisht, për të furnizuar të gjithë atë pjesë të re të Tiranës.

Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës

Ai shtoi se puna në Bovillë synohet të përfundojë brenda verës, ndërsa ajo për linjën e re të dedikuar brenda vitit. “Me impiantin që dyfishohet dhe me një linjë të dedikuar transmetimi nga Bovilla direkt në Yzberisht, e zgjidhim përfundimisht problemin e ujit dhe 2019-ta do të jetë një vit suksesi. Deri në verë përfundojmë punimet me impiantin dhe deri në fund të vitit përfundojmë të gjithë linjën e transmetimit, që sigurohemi që ky vit shënon fundin e krizave që kemi pasur me ujin”, vijoi Veliaj.