"Zhduket" kurora e gjelbër e Shëngjinit, specialisti i pyjeve: S'mund të kthehet më si më parë

25 Janar 2020, 22:21

LEZHË- Mali i Shëngjinit, 'kurora e gjelbër' e qytetit turistik tashmë ofron një panoramë ndryshe.

Zjarret e rëna gjatë 5 viteve të fundit e kanë dëmtuar rëndë këtë mal. Dëmet e shkaktuara janë kolosale dhe rikuperimi i pyllit të dëmtuar duket mjaft i vështirë. Specialisti i Pyjeve, Zef Imeraj thotë se kjo situatë ka ardhur nga keqmanaxhimi që iu është bërë pyjeve, pasi strukturat që merren me këtë sektor nuk kanë funksionuar."Punë e mirë e bërë në vite ka pësuar dëme të jashtëzakonshme nga keq menaxhimi dhe keqpërdorimi i pyjeve. Do të ketë kush kurajo nga specialistët e pyjeve të bëjë një analizë të saktë të shkeljeve të kushtetutës së Shqipërisë", tha Zef Imeraj, specialist pyjesh.

Imeraj thotë se duhet bashkëpunim mes institucioneve dhe komunitetit të zonës dhe sipas tij brenda vitit 2030 masivet pyjore të dëmtuara rikrijohen, por jo siç kanë qenë më parë.

"Të gjithë pyjet e shkatërruara është e mundur që me administrim nga bashkitë dhe të vendosin rregull e partneritet me komunitetin. Specialistët në bashkëpunim me komunitetin të vendosin një rregull strikt. Pas disa vitesh pyjet mund të rikrijohen, por nuk bëhen siç kanë qenë më parë", tha Imeraj.

Zjarret në Malin e Shëngjinit janë kthyer në refren të vazhdueshëm gjatë stinës së verës, duke rrezikuar edhe zonën e banuar. Në të gjitha rastet zjarret kanë qenë të qëllimshme, por autoritet nuk kanë mundur t'i parandalojnë, pasi ka munguar monitorimi i zonës dhe bashkëpunimi me komunitetin.