Zhduket për 4 orë 13-vjeçarja në Tiranë/Policia: Nuk u rrëmbye, shkoi me shokët në kafe! Vajza: Ishte shaka, prindërit s'më linin të dilja

4 Tetor 2019, 21:39

TIRANË - Një vajzë 13-vjeçare ka inskenuar një skenë të mirëfilltë rrëmbimi me shokët dhe shoqet e saj duke vënë në alarm familjen e saj dhe policinë e kryeqytetit që pas 4 orë kërkimesh, e gjeti të renë në një kafe me shokë e shoqe brenda një qendre tregtare në kryeqytet. Vajza ka deklaruar në polici se e gjitha u inskenua në formën e një shakaje, por edhe si një 'mesazh' për prindërit e saj, që sipas 13-vjeçares: Nuk e linin të dilte nga shtëpia! Ngjarja u denoncua nga nëna e vajzës si një rrëmbim nga persona të maskuar që e morën 13-vjeçaren duke i vënë një pambuk në gojë për të humbur ndjenjat dhe e futën në një makinë.

13-vjeçarja ishte në shoqërinë e motrës së saj më të vogël në rrugën "Ndre Mjeda" pranë ish-parkut të Autobusëve, dhe sapo kishin zbritur nga furgoni i shkollës rreth orës 15:15. Sipas dëshmisë së motrës së vogël, 13-vjeçaren e rrëmbyen persona të maskuar që zbritën nga një furgon që po ndiqte automjetin e shkollës, dhe më tej e futën në një makinë tjetër tip Fiat me ngjyrë të kuqe. Mbi këtë rrëfim të vajzës u bë edhe denoncimi në polici, ku pas 4 orësh policia mundi të gjejë 13-vjeçaren. Por nuk ishte një skenë rrëmbimi. Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi teksa dha lajmin se vajza u gjet, tha se ajo nuk ishte rrëmbyer por se ishte me disa shoqe të saj duke pirë pije freskuese pranë një qendre tregtare.

Në një njoftim paraprak policia tha se "një person ende i paidentifikuar, ka marrë jashtë dëshirës në automjet një 13 vjeçare me inicialet S.B dhe është larguar", por që në përfundim doli një shaka pa kripë.

Në kohën kur vajza ishte ende e zhdukur dhe e rrëmbyer për familjen, në një telefonatë ekskluzive për Report Tv, mes emocioneve të forta dhe lotëve që nuk mund t'i mbante gjatë komunikimit live në studio, nëna e vajzës së rrëmbyer, Dori, tregoi. Vajza vuan nga sëmundja e diabetit të tipit 1, dhe siç nëna e saj tha se ajo duhet të ushqehet dhe të bëjë insulinën (4 herë në ditë).

    No videos found.