Zotimi i Mediut: Nëse vimë ne në pushtet, për 4 vjet do e anëtarësojmë Shqipërinë në BE

30 Nëntor 2020, 15:33

"Unë kam bindjen që me reforma të thella, me një qeverisje të drejtë, që buron nga vota e shqiptarëve, qeveris me shqiptarët, për interesin e shqiptarëve, padyshim brenda 4-vjeçarit të parë, do ta bëjmë Shqipërinë vend anëtar të Bashkimit Europian, falë reformave që kanë në radhë të parë interesin kombëtar si prioritet, interesin e Shqipërisë, luftën kundër krimit të organizuar”, kështu u shpreh Fatmir Mediu, gjatë një takimi me strukturat e partisë së tij në Laprakë.

Ndër të tjera ai u bëri thirrje të gjithë të rinjve për pjesëmarrje sa më të madhe në politikë. Sipas tij vetëm në këtë mënyrë shqiptarët do të kenë mundësi të vendosin për të ardhmen e tyre.

Duhet patjetër që të angazhoheni në politikë, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Politika është një marrëdhënie e domosdoshme në një shoqëri demokratike, për të vendosur dhe për të ndryshuar, dhe më mirë të jemi aktorë sesa të bëhemi spektatorë të jetës sonë. Ë nga ne do ta sodisë fatin e vet. Në qoftë se do ta sodisim do të jemi viktimë, të tjerët do të vendosin për ne. Në qoftë se do të debatojmë me njëri-tjetrin, do të angazhohemi në politikë, atëherë padyshim që do të kemi mundësi të vendosim për fatin tonë dhe për fatin e familjeve tona, të njerëzve tanë dhe të shoqërisë shqiptare. Prandaj unë jam i lumtur dhe e them me sinqeritet që shikoj Xhinon dhe shumë të rinj, të cilët bashkohen në rrugëtimin politik, për të bashkuar shqiptarët drejt Shqipërisë Europiane" - tha Mediu.

Duke theksuar nevojën e bashkimit të së djathtës, Mediu vlerësoi rolin dhe historinë e së djathtës:

“Historia e ka vendosur të djathtën në anën e duhur, atje ku ka qenë interesi ynë kombëtar dhe këtu duhet që Partia Demokratike, Partia Republikane dhe gjithë e djathta, t’i thërrasë kujtesës së vet historike. Historia e së djathtës ka filluar që në kohën e komunizmit, me të gjithë ata që u persekutuan nga sistemi komunist, me të gjithë ata që u shpronësuan nga sistemi komunist, me të gjithë ata që besuan në Zot në kohën e sistemit komunist, ata njerëz që me besimin në Zot, dinin të ndërtonin shpresë dhe besim te njerëzit, u sakrifikuan me qindra klerikë” - tha Mediu.