Mblidhet Parlamenti, bojkoton sërish opozita, bashkohet në Durrës

Ora 10:00 – Nis seanca parlamentare, sërish e bojkoton opozita

Opozita bojkotoi sërish seancën e sotme parlamentare, PD-LSI dhe aleatët e tjerë u zhvendosën në Durrës në një mbledhje paralele me seancën plenare që zhvillohet në Tiranë.

Mbledhjet e opozitës së bashkuar në disa qytete të vendit, sipas Bashës janë një mesazh rezistence kundër krimit, që sipas tij ka mbështetjen e qeverisë. Kjo është seanca e tretë që opozita bojkoton, pasi në datë 3 shtator kur nisi sesioni parlamentar, opozita ishte në Shkodër, ndërsa para 1 jave në Elbasan.

Ora 10:20 – Ahmetaj për ‘Lojërat e Fatit’: Duhet rrëzuar dekreti i presidentit  për të mbështetur sektorin e bujqësisë dhe sipërmarrësit

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj argumentoi edhe njëherë arsyet pse duhet rrëzuar dekreti i Presidentit për kthimin për rishqyrtim të ligjit “për tatimin mbi të ardhurat” për lojërat e fatit. Sipas tij rrëzimi i këtij dekreti duhet bërë për të mbështetur sektorin e bujqësisë dhe sipërmarrësit.

 

“Ligji i të ardhurave ka ulur tatim fitimin nga 15 % në 5% për shoqëritë e shërbimit bujqësor. Kjo është një politikë fiskale e rëndësishme në ndihmë të sektorit të bujqësisë”, - tha Ahmetaj. 

 

Ahmetaj sqaroi qytetarët se nga 1 janari 2019 nuk do të ketë më në qytet kazino elektronike dhe se bastet sportive do të jenë në distancë 200 metra nga njëra-tjetra.

Ora 10:30 -  Basha nga Durrësi: Vettingu i politikanëve s'pengon hetimin e familjarëve

Kryetari i PD, Lulzim Basha vendosi theksin kryesor te vettingu në politikë. Basha foli edhe për familjarët në procesin e vettingut në politikë. Ai tha se vettingu i politikanëve të lartë nuk pengon asnjë hetim ndaj familjarëve të tyre, ndërsa në draftin e dorëzuar nga opozita në Kuvend në asnjërën nga pikat nuk kërkohet një gjë e tillë.

 

"Vettingu i politikanëve të lartë, nuk pengon asnjë hetim ndaj familjarëve të tyre. Familjarët e politikanëve sot nuk ka asnjë pengesë që të hetohen. Po a e heton sot Rama, Olsin, që është përfshirë në afera kriminale? A e heton dot Xhafaj të vëllanë? SPAK dhe Byroja e Hetimin e kanë juridiksionin për të hetuar politikanët, ndaj pretendimi se opozita kërkon hetimin e politikanëve për të shmangur familjarët është gënjeshtra më e trashë", u shpreh Basha

 


Fjala e plotë e Bashës

Ora 11:00 - Erjon Braçe: Veting për pronarët e lojërave të fatit 

Deputeti i PS Braçe foli nga foltorja e Kuvendit për dekretin e presidentit mbi të ardhurat nga tatim-fitimi. Ai theksoi se në vitin 2006 kur erdhi PD në pushtet tatimin e fitimit e bëri 0%, ndërsa për kompanitë 20%. Sipas Braçes PD i ka favorizuar lojërat e fatit dhe tashmë duhet të merren masa për ndalimin e të rinjve, të cilët frekuentojnë këto lojëra fati e pika bastesh sportive.

“Presidenti pretendon se Kuvendi ka ulur tatim-fitimin mbi lojërat e fatit ndërsa PD ka akuzuar mazhorancën se ka favorizuar lojërat e fatit. Barra fiskale s'ka ndyshuar, është shumë e qartë që propaganda është e PD-së , nuk e bëjnë me ne”.

 

Braçe shtoi se: "Ligji ka kufizime të qarta për dëshminë e penalitetit të secilit prej pronarëve të kompanive të lojërave të fatit. Duhet thënë se në këtë segment të biznesit ka hyrë edhe krimi i organizuar e po përdoret edhe paraja e pistë. Pa asnjëlloj diskutimi do duhet që të gjitha agjencitë ligjzbatuese të shtetit t'u bëjnë veting këtyre pronarëve".

Ora 11:15 -  Vetingu në politikë, Balla- Bashës e Kryemadhit: E di hallin që keni, i trembeni ndërkombëtarëve

Kreu i grupit parlamentar të PS Balla shigjetoi sërish kreun e PD Basha dhe kryetaren e LSI Kryemadhi për nismën e propozuar prej tyre, që vettingut t’i nënshtrohen edhe politikanët. Sipas Ballës, nisma e opozitës kërkon që politika shqiptare të bëjë vetingun e vetëvetes, por kjo gjë nuk mund të ndodhë, pasi reforma në drejtësi e votuar dy vite më parë në Kuvend ia njeh këtë të drejtë SPAK-ut dhe BKH-së.

Balla tha se e dinte shumë mirë frikën e tyre, por roli ndërkombëtarëve edhe në këtë proces është i pashmangshëm.

 

“Nisma juaj do të thotë që politika të hetojë vetveten, ndërsa sipas SPAK vetingun nuk e bëjnë dot ca kukulla të politikës por ndërkombëtarët”, - tha Balla.

Ora 11:40 - Vettingu në politikë, Kryemadhi: Presim një përgjigje nga Rama, kemi axhendë të pabesueshme

Nga Durrësi ku u zhvillua mbledhja e opozitës së bashkuar, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi u shpreh se PD dhe LSI presin një përgjigje nga Rama nëse e pranon apo jo projektligjin për vettingun në politikë. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, ajo tha për Report Tv se axhenda e opozitës do të jetë e pabesueshme për të gjithë.

 

“Aksioni opozitar është mëse i qartë, presim nëse Rama është pro apo kundër vettingut. Axhenda e opozitës do të jetë e pabesueshme, jo vetëm për qeverinë, do të jetë axhendë shumë surprizuese”.

Kryemadhi iu përgjigj deklaratës së Ballës duke thënë se: “Opozita është e qartë dhe e ka bërë vettingun e saj, ata të thonë janë pro apo kundër"

Ish të përndjekurit, Ahmetaj: 70 mln dollarë janë dhënë nga maxhoranca e majtë

Gjatë seancës së sotme të kuvendit, ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj diskutoi lidhur me pr/ligjin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Ahmetaj deklaroi se maxhoaranca e majtë ka dhënë 70 milion dollarë shpërblim për ish të përndjekurit. Nga ana tjetër, ministri i bëri thirrje opozitës që të votojë ndryshimet për të përshpejtuar pagesën ndaj ish të përndjekurve politikë. 

Ora 13:20 - Kuvendi rrëzon dekretin e Metës për lojërat e fatit, miratohet ligji për ish-të përndjekurit

Kuvendi i Shqipërisë ashtu sikur kishte paralajmëruar ka rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për ligjin për tatimin mbi të ardhurat për Lojërat e Fatit. Dekreti është rrëzuar më 74 vota, pa praninë e opozitës, Ministri Ahmetaj dhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë Braçe rrëzuan argumentet e Presidentit ndërsa shumica miratoi sot edhe ligjin e ri për ish- të përndjekurit me kriteret e reja që parashikohen. Ndërkohë që edhe seancën e sotme janë shtyrë projektligji për Magjistratët dhe ai për Kodin Rrugor që kërkojnë 84 vota.

 

Me ndryshimet e reja në ligjin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politik, përcaktohet mekanizmi për shpërndarjen e kësteve dhe si do merret ai për trashëgimtarët por dhe për kategoritë parësore. Për të gjithë ata që kanë për të marrë deri në 1 milion lekë të reja lekët do të jepen me një këst. Për ata trashëgimtarë që kanë më shumë se 1 milion lekë për të marrë secili, atëherë do të paguhen me këste. Kushti është që kësti total për familjet e trashëgimtarëve të mos jetë më i lartë se 1 milion lekë. Kjo do të thotë se 4 trashëgimtarë të një ish të dënuari politik, nuk mund të përfitojnë më shumë se 250 mijë lekë të reja për secilin këst.

(13/09/2018)