Arrestimi i mjekëve në Shkodër, kreu i Sindikatës: E pafalshme të trajtohen si kriminelë, tenderat i bën Ministria

SHKODER - Arrestimi i disa mjekëve dhe infermierëve në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ka sjellë reagimin e Sindikatës së Shëndetësisë. Dy ditë më parë policia arrestoi mjekët Përparim Cela dhe Luan Dragusha, ndërsa u shpall në kërkim E.S. Gjithashtu u arrestua edhe infermieri Renato Kepi si dhe farmacistët Karmen Kaculini dhe DH.U, ndërsa në arrest shtëpie u lanë Juliana Zhuri, Amanda Matlija dhe Albana Mehmetaj. Në një deklaratë për mediat, kreu i kësaj Sindikate, Paolo Kaceri i cilëson të gabuara arrestimet në radhët e bluzave të bardha, ndërsa sqaron se tenderët, për të cilët akuzohen mjekët, bëhen nga Ministria e Shëndetësisë dhe përgjegjësia duhet gjetur pikërisht aty. Ai e quan të gabuar edhe sjelljen e policisë e cila sipas tij mbërriti në Spitalin e Shkodrës me pesë furgona dhe i arrestoi mjekët në vendin e punës si të ishin kriminelë. 

Arrestimet janë të gabuara. Tenderat janë kryer nga Ministria e Shëndetësisë dhe aty ta gjejnë. Po arrestohen mjekët sikur të ishin kriminelë, kjo është e pafalshme. Këta janë persona publikë dhe nuk përbëjnë rrezikshmëri. Presim lirimin e të arrestuarve. Prokuroria ka vërtetuar në të gjitha rastet që arrestimet janë bërë për arsye dytësore dhe jo për arsye objektive. Të gjithë ne mund të na vënë prangat se kemi qenë pjesë e komisioneve, por tenderat janë bërë nga Ministria. Ne nuk jemi për të moszbatuar ligjin, por Prokuroria të marrë masa mirë se ku do ta cojnë imazhin e këtyre personave dhe problemeve që ka hapur në familjet e tyre. Nëse faktohet se kanë bërë kundravajtje i falenderojmë, por këta mjekë nuk kanë bërë asnjë shkelje. I arrestojmë me forca policie në vendin e punës, vijnë me 5 mikrobusa e i marrin këtu, në një kohë kur mund t'i thërrisnin dhe ata shkonin vetë se nuk janë kriminelë. Të gjithë këta janë persona publikë. Ne shpresojmë shumë, sepse duhet të ishin liruar sot, por s'mund të dalim kundër vendimeve të Gjykatës. Nesër presim lirimin e mjekëve. Ne vend që të bëhet bujë për kriminalitetin e rritur, bëjnë bujë për sektorin e shëndetësisë. 

Paolo Kaceri, kreu i Sindikatës së Shëndetësisë

Për arrestimin e mjekëve, ka reaguar edhe Urdhri i Infermierit. Imir Hoxha tha se arrestimet e bluzave të bardha kanë krijuar një situatë të pazakontë. 

 Arrestimi i mjekëve dhe infermierëve ka krijuar një situatë të pazakontë. Të gjithë janë të shqetësuar sepse ndodhën disa veprime që janë në dijeninë e Ministrisë dhe t'u ndodhin personave të tillë, ifermierë...Nuk kanë pse përgjigjen për pjesën financiare të tenderave të Ministrisë. Ai është një infermier, është thjesht si një teknik dhe veprimi i Prokurorisë është i gabuar.  

Imir Hoxha, kreu i Urdhrit të Infermierit

Shtyhet seanca për masën e sigurisë
Ndërkohë, Gjykata e Shkodrës ka shtyrë seancën për masën e sigurisë për mjeket dhe infermierët. Ka qenë kërkesë e avokatëve shtyrja e seancës që të njihen më hollësisht me provat e paraqitura nga prokuroria. Seanca pritet të zhvillohet të shtunën në orën 09:00. 

Ekzekutimi i masave të arrestit ndaj tyre u bë pas një hetimi dy mujor të prokurorisë Shkodër në bashkëpunim me drejtorinë e policisë:
1-Arrest me burg si dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Përparim Cela, mjek (caktuar dhe ekzekutuar)

2-Arrest me burg dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” Dh.U (shpallur në kërkim)

3-Arrest me burg dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Luan Dragusha, mjek (caktuar dhe ekzekutuar)

4-Arrest shtëpie dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Karmen Kaculini, farmaciste .(caktuar dhe ekzekutuar)

5-Arrest me burg dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Renato Kepi, infermier të hemodinamika (caktuar dhe ekzekutuar)

6-Arrest me burg dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për E.S, mjek (shpallur në kërkim)

7-Arrest në shtëpi dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Amanda Matlija (caktuar dhe ekzekutuar)

8-Arrest shtëpie dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Juliana Zhuri (caktuar dhe ekzekutuar)

9-Arrest shtëpie dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Albana Mehmetaj (caktuar dhe ekzekutuar).

Akuzat për tenderin e ilaçeve
Sipas prokurorisë, personat e më sipërm në kundërshtim me detyrën i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë materiale të domosdoshme mjekësore për kabinetin e hemodinamikës.
“Këta shtetas në shkelje të ligjit kanë kërkuar për blerje -tenderim, për periudhën kohore të mbetur të vitit 2016, pra, shtator-dhjetor 2016, një sasi shume të madhe 400 stendash (kateter, koronare dhe sete kirurgjikale të kardikirurgjisë etj) jashtë çdo kriteri, apo kapaciteti që ky spital ka”.

Nga verifikimet e kryera të Prokurorisë, “rezulton se për vitin 2016 janë lidhur 6 (gjashtë) kontrata për blerje barnash dhe materialesh për kabinetin e Hemodinamikës, shërbimi i kardiologjisë, me një vlerë prej 34 492 870 lekësh, përfshi këtu edhe kontratat për mirëmbajtjen e materialeve të blera”.

Por organi i akuzës thotë se “ky spital nuk ka pasur asnjë mundësi akomodimi dhe resurse njerëzore , mjek etj, të realizonte kaq shumë ndërhyrje sa stenda, e materiale të tjera ka blerë. Për këtë periudhë kohore ky spital ka realizuar vetëm 3 ndërhyrje. Pra, në fund të vitit 2016, në magazinën, farmacinë e spitalit ka pasur një gjendje stendash, 397 stenda të cilat nëse do të kishin standartet e kërkuara nga ligji duhet te plotësonin nevojat për vitin pasardhës vitin 2017, e shume vite të tjera”.

Për vitin 2017 janë lidhur 6 (gjashtë) kontrata për blerje barnash dhe materialesh për kabinetin e Hemodinamikës, shërbimi i kardiologjisë, me një vlerë prej 23 171 853 lekësh përfshirë këtu edhe kontrata për mirëmbajtjen e materialeve të blera.

Planifikimet dhe blerjet për vitin 2017 prej 700 stenda janë bërë duke mos patur parasysh gjëndjen e stokut, afatin e tyre të skadencës së materialeve, kapacitetin e spitalit, ndërhyrjet e planifikuara për atë vit etj.

Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë pasi është pranuar kërkesa e Spitalit Rajonal Shkodër janë zhvilluar procedurat e tenderimit të materialeve mjekësore dhe dokumentacioni përkatës pas shpalljes së fituesit është përcjellë në Spitalin Rajonal Shkodër me qëllim lidhjen e kontratës dhe marrjen e materialeve në dorëzim.

Prokuroria thotë se “shtetasit Edi Smajli, Renato Kepi, Juljana Zhuri, Amanda Matlija, Albana Mehmetaj me detyrë anëtarë të komisionit të marrjes në dorëzim, kolaudimit), rezulton se kanë marrë në dorëzim medikamentet për repartin e Hemodinamikës në kundërshtim me kushtet e kontratave të lidhura në vitin 2016-2017, që përcakton rregullat e marrjes në dorëzim në lidhje me datën e skadencës, konkretisht “Data e skadencës në ditën e lëvrimit të mallit, duhet të jetë sa 2/3 e kohës ndërmjet datës së prodhimit dhe asaj të skadencës”.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pacienti: 21/09/2018 13:48

    Gjithe sistemi shendetesor eshte i korruptuar.Mjeket po ti shohesh, jane ne tre kater klinika dhe pasi mbaron viziten te mbushin rekomandime qe te besh 200 mije leke analiza tek laboratoret qe te rekomandojne ata dhe po tju shkosh me analiza nga laboratore te tjere ti hedhin ne surrat.Gjithmone japin te besh analiza qe nuk nevojiten fare.Kjo gje duhet te marre fund njehere e pergjithmone.

    Përgjigju
  • Ilir: 21/09/2018 13:36

    Ekzistoka Sindikata e Shendetesise ne Shqiperi?!! Nuk i kemi pare te protestojne dhe organizojne greva as per rrogat skandaloze te mjekeve dhe infermjereve,as per kushtet primitive te punes,as per asgje. Tani gjasme duan te na tregojne se ekzistojne dhe nxjerrin per perfaqesues kete tipin qe per nga surrati ngjan si ndonje elektricist apo hidraulik ordiner spitali.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë