"Policët mbipeshë dhe me bark nuk do kryejnë shërbim në vende të dukshme". Ky është urdhri më i fundit i zv/ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshi, pas urdhrave për ndalimin e kafeve në orarin e punës dhe atë për mbetjet. Numri dy i komanduar në Ministrinë e Brendshme ka miratuar një urdhëresë me 19 pika për etikën e punonjësve të Policisë së Shtetit, e cila mban firmën e zv/drejtorit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu.

Por ajo që bie në sy është pika 8 e urdhëresës ku thuhet se punonjësit e policisë mbipeshë të cilët në dokument quhen "barkdërra" do bëjnë shërbim vetëm në vende të padukshme, kjo për të mbajtur larg syrit të opinionit publik, paraqitjen jo estetike të tyre.

Urdhri për punonjësit e policisë

Detyrat/ Kontrolli i lokaleve të natës dhe bllokimi i makinave të blinduara
Po kështu pjesë e këtij urdhri është edhe marrja e masave për bllokimin e qarkullimit në zonën e ish-bllokut, ku përveçse do të ketë polic me uniformë, do të jenë të pranishëm edhe agjent civil. Lokalet e natës gjithashtu do të kontrollohen më shpesh nga Policia, si dhe do të kettë rritje të prezencës me agjentë në lokalet problematike. 

Pjesë e urdhërit të Policisë është edhe evidentimi i punonjësve ushtarak, oficerët e RENEA-s, policët e FNSH dhe rendit, të cilët qëndrojnë në lokalet e natës si bodygard. Do të kalojnë në sitë edhe bodygardët civil që qëndrojnë jashtë lokaleve të natës. Policisë së Tiranës i është dhënë urdhër të që ndalojë dhe bllokojë mjetet e blinduara.

Kjo do të thotë se në kryeqytet nuk do të lejohen qarkullimi i makinave të blinduara, ndërsa automjetet luskoze do t'i nënshtrohen një kontrolli të rreptë. Edhe kompanitë private të sigurisë fizike do t'i nënshtrohen një tjetër kontrolli nga ana e uniformave blu.