Këndi i ekspertit/Pensioni i invadilitetit, kushtet e përfitimit

Këndi i ekspertit/Pensioni i invadilitetit, kushtet e përfitimit

FAdil Kepi në emisionin "Këndi i ekspertit"

Si çdo javë, eksperti për çështjet e pensioneve Fadil Kepi ka sqaruar në Report TV, qytetarët mbi problematikat e pensioneve, në emisionin “Këndi i Ekspertit” nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli. Këtë javë profesor Kepi u ndal më shumë tek pensioni i ivaliditetit, duke sqaruar qytetarët për të drejtat e tyre pasi e kanë përfituar, por më tepër për mënyrën se si e përfitojnë atë. Gjithashtu profesor Kepi ka sqaruar qytetarët edhe për problematika të tjera.

A kanë të drejtë invalidët e punës të udhëtojnë falas me autobusët urbanë dhe cila është baza ligjore?

Unë këtu kam legjislacionin e Sigurimeve Shoqërore, që është në fuqi. Në faqen 102 të këtij legjislacioni, është botuar statusi për invalidin e punës, për herë të parë, me ligjin nr. 7889, datë 14 dhjetor 1994. Me gjithë përmirësimet e herëpashershme, ky ligj është në fuqi. Do të lexoj pak rreshta, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e invalidëve të punës: Atëherë, në nenin 1 thuhet: “Statusin e invalidit e gëzon personi i aksidentuar në punë, i sëmurë nga sëmundje profesionale ose nga sëmundje të ndryshme, që përfiton pension invaliditeti nga sistemi i Sigurimeve Shoqërore”.

Në nenin 11 thuhet: “Udhëtimi i invalidëve me mjetet e transportit shtetëror dhe privat, brenda qytetit, bëhet falas. Udhëtimi me mjetet e transportit shtetëror dhe privat, midis qyteteve, bëhet me 50% të çmimit të biletës. Të gjitha mjetet e udhëtimit qytetës dhe ndërqytetës rezervojnë vende të veçanta për invalidët”.

“Hyrja e invalidëve në shfaqje artistike, në muze, në ndeshje sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, bëhet me 50% të biletës”.

Ministria e Transportit dhe Ministria e Kulturës është e detyruar të zbatojë këtë ligj.

Atëherë, sqaroj gjithashtu se po në këtë ligj, invalidët e verbër, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, bashkë me shoqëruesit e tyre, në mjetet e transportit urban udhëtojnë falas.

I sugjeroj Ministrisë së Transportit, e cila është përgjegjëse kryesore për moszbatimin e këtij ligji, dhe bashkive, të cilat japin licencat brenda qyteteve, që janë përgjigjet kryesore për moszbatimin e këtij ligji, që të jenë më të vëmendshme sepse kanë shkelur ligjin. Bashkitë e kanë vëmendjen për të rritur çmimin e biletave. Ligji thotë: “Të udhëtojnë falas”, ato rrisin çmimin e biletave.

Unë do t’u sugjeroja, sepse kështu e thotë ligji dhe jo unë, unë jam mbrojtës i ligjit, që të anulojnë të gjitha marrëveshjet që kanë me shoqëritë e transportit të autobusëve, brenda dhe jashtë qytetit dhe çfarë është shënuar në këtë ligj, ta shënojnë në kontratë të veçantë.

Unë vetë kam hipur para dy ditësh në një autobus në linjën e unazës dhe konstatova që shoferi dhe faturino i kërkonin një invalidi që të paguante biletën sepse nuk e dinin fare se ç’thoshte ligji. Invalidët pajisen me një librezë, me të cilën marrin pensionin e invaliditetit. Kur kanë nevojë, shteti u jep atyre dhe kujdestarë. Dhe, përveç kësaj, në nenin 4 të këtij ligji thuhet: “Duhet të pajisen edhe me një dëshmi nga Shoqata e Invalidëve të Punës”, ku kryetar është z. Abdulla Omuri, i cili bën shumë përpjekje për zbatimin e këtij ligji.

Pra, nuk zbatohet ligji. Por, kam edhe një vërejtje për Kuvendin e Shqipërisë, për Komisionin e Ligjeve. Unë s’kam dëgjuar qoftë edhe një herë, që të thërrasin një ministër e t’i kërkojnë llogari se përse nuk zbatohet ligji për statusin e invalidit. As Kryetari i Kuvendit, përgjatë 11 muajve punë në Kuvend, nuk e ka futur asnjëherë në rendin e ditës diskutimin e kësaj çështjeje. Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Përkrahjes Sociale, një zëvendësministre, Bardhyle Kospiri, e cila është vetë invalide, të tërheqë vëmendjen e kryetarëve të bashkive që të zbatohet ky ligj në kontratat që ata lidhin me shoqatat e autobusëve, të cilat e kanë mendjen vetëm të rrisin çmimin e biletave të transportit urban brenda dhe midis qyteteve, për mendimin tim me argumente të paqëndrueshme, dhe nuk e zbatojnë këtë ligj në asnjë rast. Kam besim të plotë te ministrja e Shëndetësisë dhe Përkrahjes Sociale që do ta trajtojë këtë problem.

Po ashtu dua të sqaroj edhe një fakt tjetër: u lutem të gjithë invalidëve që t’i shkruajnë deputetit të tyre të zonës, t’i shkruajnë kryetarit të tyre të bashkisë, të mos lënë derë pa trokitur, deri në Kryeministri. Dikush mund të thotë që ky është një ligj i vjetër, por kjo nuk është aspak e vërtetë sepse ky ligj është përsosur disa herë. Në Angli e në vende të tjera të botës ka ligje që janë hartuar edhe qindra vite më parë dhe janë ende në fuqi, të cilat zbatohen me shumë korrektësi.

Flas nga Korça. Jam kujdestar i bashkëshortes sime, mirëpo tani dal në pension. Dua të di nëse bashkë me pensionin përfitoj edhe kujdestarinë.

Në qoftë se bashkëshortja është paraplegjike dhe tetraplegjike ose, më mirë të themi, është e paralizuar, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në bazë të vendimit të KEMP-it të Korçës, atëherë juve ju quhet kjo periudhë e siguruar nga buxheti i shtetit, për të marrë pension pleqërie, kur të plotësosh moshën. Kur plotëson moshën dhe merr vetë pension, pagesa e kujdestarit nuk të takon, sipas VKM nr. 326, datë 12 mars 2009. Detyrimi për t’i shërbyer gruas është ligjor.

Flas nga Korça. Jam 59 vjeçe dhe jam invalide e grupit I. Jam në prag pensioni. Kur të dal në pension çfarë pagesash do të marr?

Ju jeni 59 vjeçe dhe merrni pension të grupit I, që do të thotë se keni nevojë që t’ju shërbejë një person tjetër dhe në pensionin tuaj ju merrni 15% të rrogës mesatare mujore sepse kjo pjesë ju takon sepse keni nevojë që t’ju shërbejë një person tjetër. Ju do të dilni në pension vitin tjetër, në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, nëse 60 vjeç e 10 muaj i plotësoni deri më 31 dhjetor të vitit 2019. Periudha që merrni pension invaliditeti të grupit I ju quhet periudhë pune për pension pleqërie. Dhe Sigurimet Shoqërore janë të vëmendshme për këto raste, llogarisin se sa të del pensioni i pleqërisë, duke quajtur të gjitha vitet e punës që keni qenë invalide, sikur keni punuar, dhe do të shikojnë nëse do të marrësh pension të plotë pleqërie apo do të marrësh pension të plotë invaliditeti. Cila shumë do t’ju dalë më e lartë. Por, kujdes. Përveç pensionit, ju aktualisht merrni 3.300 lekë të reja në muaj, nga bashkia. Kjo shumë mujore nga bashkia i shtohet ose pensionit të pleqërisë ose pensionit të invaliditetit. Gjithashtu edhe barnat mjekësore të rimbursueshme, që janë rreth 600, pavarësisht se cilin pension zgjidhni, do t’i merrni me rimbursim të plotë ose falas. Sqarime më të hollësishme mund të merrni edhe gjatë këtij viti, por edhe në fillimin e vitit tjetër, pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë.

Flas nga Korça. Kam rreth 8 muaj që kam dalë në pension invaliditeti. Kam gjithsej 19 vjet e 6 muaj vjetërsi pune dhe jam 57 vjeçe. Jam kryefamiljare, me fëmijë jetimë. Pensioni më ka dalë 11.500 lekë, përveç 3.300 lekëve nga bashkia. Dua një sqarim.

Juve, për të marrë pension të plotë invaliditeti, ju duheshin këto vite pune: mosha juaj është 57 vjeçe, zbresim 20 dhe del 37, shumëzim për 3 del 111, pjesëtuar për 4. Ju duhen 27 vjet e 9 muaj. Për të marrë pension të plotë pleqërie, sivjet duhen 36 vjet e 4 muaj. Ju keni pasur 19 vjet e 6 muaj, janë pak zonjë dhe në bazë të këtyre viteve ju merrni 69% të pensionit të plotë. Sipas ligjit, kush ka më shumë vite pune, merr më shumë pension dhe kush kamë pak vite pune, merr më pak pension. Ndërsa ndihma ekonomike nuk quhet vjetërsi pune as për pension dhe as për lejen e lindjes. Kur të plotësosh moshën për pension pleqërie, punonjësit e Sigurimeve Shoqërore do të bëjnë llogaritë e duhura përkatëse dhe ti do të marrësh ose pensionin e invaliditetit ose pensionin pleqërisë, cila shumë të dalë më e lartë. Përveç pensionit që do të zgjidhesh, kur të plotësosh moshën për pension pleqërie, ju do të vazhdosh të marrësh përsëri shumën prej 3.300 lekësh nga bashkia.

Flas nga Elbasani. Flas në emër të gjyshit, pasi ai ka probleme me dëgjimin. Ka dalë në pension në nëntor të vitit 1991, shuma në atë kohë ka qenë 5.100 lekë të vjetra. Kur u rritën fillimisht pensionet, atij nuk iu rrit sepse i quhej pension i lartë. Sot merr 160.000 lekë të vjetra dhe i quhet pension i ulët. Ka punuar në fonderi, në shkrirje, për 28 vjet nga që ishte vjetërsia që duhej. Gjithashtu është edhe invalid i grupit II dhe pensioni i tij i invaliditetit është 33.000 lekë të vjetra.

Gjyshi yt, merr rreth 20.000 lekë të reja në muaj pension pleqërie, pension invaliditeti dhe kompensime. Edhe barnat mjekësore i ka të rimbursueshme. Në fakt ka edhe barna të tjera të nevojshme për invalidët, por që nuk janë të rimbursueshme. Juve ju duket pak. Unë mendoj që ti duhet t’i bësh një ankesë me shkrim komisionit të ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Elbasan. Shpjegoji të gjitha këto që me the mua dhe kërkoji sqarime për masën e pensionit. Në atë komision janë katër specialistë me arsim të lartë, të kualifikuar, juristë, ekonomistë, financierë. Përgjigjja do të vijë zyrtarisht me shkrim, në shtëpi ose do të shkosh vetë ta marrësh te Sigurimet Shoqërore.

Nëse përsëri nuk bindesh nga përgjigjja dhe llogaritë e tyre, ke të drejtë që t’i bësh një ankesë tjetër Komisionit Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Ankesën për në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë do ta dërgosh me postë rekomande. Dhe do të vijë përsëri një përgjigje zyrtare, me shkrim. Kjo është rruga ligjore zyrtare që duhet të ndjekësh.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)