POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Korçë/ E dashuruar me lulet, 80-vjeçarja kthen oborrin e pallatit në lulishte

Pasionet e njerëzve janë nga më të ndryshmet. Por një 80 vjeçare nga Kosova duket se i tejkalon pritshmëritë e kujtdo. Kimete Bylykbashi është personazhi i vecantë që ‘Report Tv’ ka vendosur të nxjerrë në pah, duke treguar historinë që ajo ka. E moshuara me origjinë nga Suhareka e Kosovës, prej vitesh jeton në qytetin e Korçës. Në jetën e saj ajo ka hasur shumë vështirësi por që e kanë bërë edhe më të fortë. Pasioni i veçantë që ajo ka, janë lulet.

80 vjeçarja ka krijuar e vetme një lulishte të vogël në lagjen ku banon në Korçë. Një lulishte që mesa duket ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve të cilët nuk humbin rastin ta përgëzojnë.

I trishtë mbetet për të fakti se si ajo ka vazhduar “traditën” e luleve pas bashkëshortit të saj i cili nuk jeton më. Me lot në sy nënë Kimetja tregon se si vendosi të vijonte përkujdesjen mbi lulet e shumëllojshme. 

Ideja e kopshtit ka qënë e tim shoqi. I kishte shumë qejf trendafilat. Donte t’i hidhte pleh por u sëmur dhe u shtrua në spital. I thashë, t’ja hedh unë plehun luleve por më tha jo. Kur të dilte nga spitali do t’ja hidhte vetë. Pas 2-3 ditësh vdiq.

Nga ajo që më tha se do ta bënte vetë më ka shtyrë që të punoj më shumë në kopësht. Më pyesin në marr ilaçe dhe i përgjigjem se këto janë ilaçet e mia.

Kimete Bylykbashi

Kënaqësia e madhe që lulet i japin të moshuarës nuk ka të krahasuar. Një ndjesi që sipas saj përçohet edhe tek banorët e tjerë të lagjes. Çdo mëngjes nënë Kimetja del nga shtëpia dhe shkon tek lulishtja modeste, por tepër me vlera për t’u kujdesur për lulet. Duke filluar nga ujitja e tyre e deri tek prerja e luleve të dëmtuara apo të thara. 

Në fillim kur u hap ishte me bar dhe nuk e linin qentë e rrugës. Mbollëm pak lule. Pastaj po u pëlqente edhe njerëzve. Më shtynte edhe kënaqësia e tyre që të punoja në kopësht. Tani kudo që shkoj marr lule dhe u ngul këtu. E hap çdo mëngjes kush ka qejf të rrijë këtu dhe të marr ajër. Në darkë pastaj e mbyll.

Kimete Bylykbashi

Megjithatë, e moshuara nuk është lënë jashtë vëmendjes për këtë aktivitet të vecantë që tashmë është pjesë e rutinës së saj. Edhe banorët e tjerë të lagjes kontribuojnë në përkujdesjen e lulishtes.

Edhe pse duket se problem ngelet mungesa e ujit, duke bërë që fqinjët të mbushin kova nga shtëpitë e tyre. Një situatë që i le në pritje për një përgjigje nga ana e Bashkisë së Korçës. 

Ujë. Nuk dua asgjë tjetër. Vetëm ujë. Më vjen keq për lulet. Sikur i kam fëmijë. I ujis çdo mëngjes. Më vjen keq po të thahem. Më ndihmojnë edhe komshinjtë.

Kimete Bylykbashi

Historia e 80 vjeçares Kimete Bylykbashi ka prekur zemrat e të gjithë qytetarëve që ndeshen me lulishten e mrekullueshme.

Të shumtë janë edhe ata që vendosin të hyjnë brenda saj për të parë bukurinë që përcjell. Diçka është e sigurt, kjo e moshuar do të kujdeset për këtë lulishte deri në fund të jetës së saj.

ke.mu./b.ha.
Komento