POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

“Raiffeisen Vizion”, fondi më i ri nga Raiffeisen Invest: Një alternativë më shumë për investime në Lekë

Raiffeisen Vizion

Raiffeisen Invest sh.a (RIAL), shoqëri e licensuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për Administrimin e Fondeve të Investimit dhe Fondeve të Pensionit Vullnetar prezanton fondin më të ri të investimit, fondin Raiffeisen Vizion.

Raiffeisen Invest sh.a është shoqëria që hodhi bazat e tregut të fondeve të investimit në Shqipëri dhe e zhvilloi atë, falë bashkëpunimit dhe mbështetjes nga AMF. Pas suksesit të Fondit Prestigj dhe fondit Raiffeisen Invest Euro, RIAL i ofron investitorit shqiptar edhe një mundësi tjetër investimi në lekë, me qëllim diversifikimin e portofolit financiar nëpërmjet investimeve më afatgjata.

Objektivi i Fondit Raiffeisen Vizion është të maksimizojë kthimin total afat-mesëm për investitorët, duke synuar të ruajë kapitalin e tyre dhe të sigurojë likuiditet të mjaftueshëm.

Ky fond është i përshtatshëm për të gjithë investitorët, qofshin persona fizikë apo juridikë, të cilët kanë nevoja të ulëta likuiditeti dhe horizont investimi afatgjatë, të përgatitur të marrin përsipër rreziqet e listuara në prospektin e fondit kundrejt potencialit të një kthimi të kënaqshëm nga investimi.

Të gjithë investitorët e interesuar mund të drejtohen pranë degëve të Raiffeisen Bank për të investuar në fondin e ri. Shuma minimale e investimit fillestar në Fond është 30,000 Lekë. Kjo shumë mund të rritet me një vlerë e cila është minimalisht 10,000 Lekë.

“Krijimi i fondit Raiffeisen Vizion tregon angazhimin tonë të vazhdueshëm për ti ofruar publikut shqiptar një gamë të gjerë produktesh investimi, jashtë spektrit të produkteve bankare, në përputhje me profilin e tyre të rrezikut. Ky është fondi i tretë i investimit nën administrim të Raiffeisen Invest, i krijuar paralelisht me rritjen e ndërgjegjësimit dhe njohurisë mbi fondet e investimeve në Shqipëri. Si shoqëria lider në këtë treg, ne do të vazhdojmë të menaxhojmë asetet e investitorëve me profesionalizëm, integritet dhe transparencë, duke zbatuar praktikat më të mira të menaxhimit të aseteve dhe kontribuojmë për sofistikimin e tregut në tërësi. Në një mjedis normash të ulëta interesi, Raiffeisen Vizion do të jetë një alternativë shumë e mirë investimi” tha Edlira Konini, Drejtore e Përgjithshme e Raiffeisen Invest sh.a.

* * * * *

Fondi Raiffeisen Vizion u miratua nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me vendimin nr. 143, datë 30 Korrik 2018. Ky është një fond i hapur publik, i cili do të ofrohet/shpërndahet nëpërmjet rrjetit të degëve të Raiffeisen Bank duke filluar nga data 20 Gusht 2018.

Fondi Raiffeisen Vizion do të investojë kryesisht në letra me vlerë të Qeverisë Shqiptare.

Raiffeisen Bank sh.a zotëron 100% të aksioneve të Raiffeisen INVEST sh.a, e cila do të vazhdojë të menaxhojë Fondin e Pensionit Vullnetar Raiffeisen, krahas Fondit Raiffeisen Invest Euro dhe Fondit Raiffeisen Prestigj.

ma.nd.
Komento