POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Shpend Bengu në Bienalen IMPACT 10 në Spanjë , Artisti: Grafika në Shqipëri, e pavlerësuar!

Artisti multimedial Shpend Bengu përfaqëson Shqipërinë në Bienalen IMPACT 10 për grafikën artistike në Spanjë.  IMPACT 10 është një ndër ngjarjet më të rëndësishme përsa i përket grafikës artistike. Qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi i gjinisë së artit të grafikës në një vend siç është Spanja, që përfaqësohet ky artist me artistë, si Picasso-s apo Goya-n, artistët më të famshëm të botës, që janë marrë me grafikën artistike.  Bengu rrëfen për kamerën e Report Tv”këtë eksperiencë në të cilën u prezantua me temën “Fari dhe deti”.

 Për mua ishte një fat i madh që të merrja pjesë në një nga këto aktivitete, që quhet Bienalja e Mini Printit në qytetin e Santanderit. Tematika ishte “Fari edhe deti”. U ndjeva pak keq, se kishte një tematikë të caktuar, se tema ishte “Fari edhe deti”, që fatkeqësisht ne në Shqipëri nuk është se e kemi. I vetmi far që ne kemi në qytetin e Tiranës është një far hedonistik, që është një far në Liqenin Artificial të Tiranës. Ky ishte i vetmi motiv, që më frymëzoi mua që të krijoj një miniprint për këtë aktivitet me të cilin unë u përfaqësova jo vetëm si artist, por edhe vendin tim Shqipërinë.

Shpend Bengu, artist multimedial, piktor, grafist

Po çfarë mendon artisti Bengu për zhvillimin e grafikës artistike në Shqipëri?

Fatkeqësisht gjendja e grafikës tek ne mbetet ende e pavlerësuar. Ka pasur disa tentativa kohët e fundit, ku i vetmi aktivitet për grafikën, për këtë duhet falënderuar organizatori i këtij aktiviteti që quhet “Shenja shqiptare” Arben Kolliçi. Në këtë aktivitet përfshihen edhe artistët e rinj ose studentët që e zhvillojnë këtë lloj teknike. Por në përgjithësi vlerësimi i këtij arti në Shqipëri mungon. Mos të harrojmë se grafika artistike, është ajo lloj gjinie arti, e cila ka impaktin e drejtpërdrejtë me publikun, siç janë reklamat. Përfshin të gjithë jetën komunitare edhe ka një impakt të jashtëzakonshëm.

Shpend Bengu, artist multimedial, piktor, grafist

Artisti shton se ne kemi një trashëgimi të jashtëzakonshme përsa u përket shenjave grafike, siç janë ato në kostumet kombëtare

Ne kemi një trashëgimi të jashtëzakonshme, sa u përket shenjave grafike, që nga kostumet kombëtare, tek artizani edhe në vet tatuazhet që kanë pasur shqiptarët. Por fatkeqësia jonë është që shumë nga eksploratorët që kanë dashur që të merren me trashëgiminë shqiptare na kanë quajtur edhe indigjenë, sepse thoshin, siç e thotë edhe Edit Durhami, se shqiptarët nuk kanë lidhje me shkrimin. Ne kemi pasur gjithmonë një lloj komunikimi nëpërmjet shenjave grafike. Fatkeqësisht ne ende s’kemi arritur që këtë lloj trashëgimie që i përket shenjës grafike ta marrim, ta zhvillojmë dhe promovojmë. Fatkeqësisht një gjë e tmerrshme që po ndodh. Një shqetësim që kam unë është në lidhje me kostumet kombëtare, të trashëguar prej mijëra vjetësh janë degjeneruar në një farë mënyre që është e tmerrshme që ta shikosh, publiku ndoshta se kupton, por ne po shkatërrojmë këtë trashëgimi të shenjës grafike që kemi ne.

Shpend Bengu, artist multimedial, piktor, grafist

Në muajin shtator Shpend Bengu do të përfaqësojë Shqipërinë në një ekspozitë që trajton qëndrimin e tij në trashëgimin kulturore europiane, materiale edhe jomatëriale në fumet, që kurohet nga artisti i njohur Aleksandar Zograf në Serbi.

f.g./ke.mu.
Komento