POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Tragjedia/ Ceremonia shtetërore për viktimat e Genova-s, imami lutet për dy shqiptarët myslimanë (FOTO)

Genova-  43 të vdekur nga tragjedia e Genovës. Ceremonia shtetërore e homazheve dhe përcjelljes për në banesën e fundit të 18 viktimave të tragjedisë në Genova nisi që në orën 10:00 e përfundoi në orën 17:00. Mes viktimave ndodheshin edhe trupat e dy të rinjve shqiptarë Marjus Djerri 22- vjeç dhe Admir Bokrina 28 vjeç. Ndërsa Djerri do të prehet në Itali, trupi i Admirit do transportohet të hënën drejt Shqipërisë, për të pushuar përgjithmonë në tokën e tij.

Arkivolet e tyre siç duket edhe në pamjet mediave italiane janë mbuluar me flamurin kuq e zi. Në nder të tyre madje ka pasur edhe lutje nga një imam mysliman.

Në ceremoni mungonin ministrat shqiptarë, si ai i Diasporës, Pandeli Majko ashtu edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Kujtojmë se shumica prej familjeve italiane e refuzuan ceremoninë shtetërore dhe i përcollën privatisht të afërmit e tyre një ditë më parë.

Foto nga ceremonia e homazheve

"Segmenti i shembur nuk ishte vetëm një pjesë e rëndësishme e autostradës, por një rrugë e domosdoshme për jetën e përditshme të shumë njerëzve, një arterie esenciale për zhvillimin e qytetit. Megjithatë, Genova nuk do të dorëzohet”.

Kështu u shpreh gjatë predikimit të tij Kardinali Angelo Bagnasco.

Në prezencën e Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella dhe autoriteteve më të larta kombëtare dhe lokale, Kardinali tha se:

"Rënia e urës Morandi mbi përroin Polcevera ka shkaktuar një boshllëk në zemrën e çdo genovezi. Çdo fjalë njerëzore, edhe nëse është e sinqertë, është pak përballë tragjedisë, si dhe të gjithë drejtësisë që duhet të bëhet. Asgjë që ndodhi nuk kthehet më”,- shtoi ai.

Në fund të lutjeve fetare të kardinalit Angelo Bagnasco, pranë arkivoleve, pati një moment të shkurtër fetar për viktimat e besimit islam. "Ne jemi pranë të gjithëve, lutemi për paqe për të gjithë ju, për Italinë, për italianët. Genova do të ngrihet". Këto ishin fjalët e imamit që turma mirëpriti me një duartrokitje të gjatë. "Rënia e një ure që është fizike ose metaforike gjithmonë shkakton dhimbje", tha përfaqësuesi fetar që u lut për dy viktimat shqiptarë.Me një duartrokitje të gjatë është përshëndetur edhe delegacioni i ekipeve të zjarrfikësve teksa hynë në pavionin blu të Fiera di Genova, ku mbahet funerali për viktimat e rëna gjatë shembjes së urës Morandi. Pavioni është i mbushur me njerëz, ka mbi 5.000 pjesëmarrës, ndërsa rreth 400 oficerë po patrullojnë zonën. Gjithashtu janë të pranishëm drejtori menaxhues i Autostrade per l'Italia Giovanni Castellucci dhe presidenti Fabio Cerchiai.

Mëngjesin e sotëm numri i viktimave të tragjedisë së Genova-s që ndodhi më 14 gusht, ku një pjesë e urës Morandi u shemb papritur, arriti në 43. Mes rrënojave u gjet një familje. “Tgcom”, bën me dije se bëhet fjalë për familjen Cecala, babai Cristian, nëna Dawna dhe vajza e vogël e tyre, 9vjeçarja Krisatal. Ndërsa forcat e kërkim –shpëtmit janë të angazhuar në punën e tyre, duke vazhduar me gërmimet nën rrënojat, për të katërtën ditë radhazi. 

Marjus Djerri dhe Admir Bokrina, dy viktimat shqiptare në tragjedinë e Genovas

Familja e Marjus Djerrit

Gjatë kohës kur po zhvillohej ceremonia shtetërore mortore, nën rrënoja u gjet trupi i të humburit të fundit, Mirko Vicini, punëtor nga Genova. Bilanci i tragjedisë së Genovas ka arritur në 43 të vdekur.

Ora 18:54
Tragjedia e Genovas, drejtori i kompanisë ndërtuese kërkon falje: Për 8 muaj do bëjmë një urë të re

4 ditë pas tragjedisë që ndodhi në Genova, ku ura Morandi u shemb dhe humbën jetën 43 persona, ka reaguar edhe kompania ndërtuese e urës.

Drejtori i kompanisë “Fabio”, Giovanni Castelluci, në një konferencë për mediat ka kërkuar falje në emër të firmës si edhe ka siguruar se kompania do të bëjë të gjithë kompesimin e nevojshëm për banorët e prekur.

“Kërkojmë falje, në 8 muaj do të ndërtojmë një urë të re. ndërhyrja jonë e parë do të jetë një fond për familjet e viktimave.”-ka thënë Presidenti i kompanisë.

Ora 18:20
Rëndohet bilanci në Genova, 43 të vdekur nga shembja e urës Morandi

Vazhdon të rëndohet bilanci i viktimave pas tragjedisë që ndodhi në 14 gusht në Genova. Deri tani janë 43 të vdekur nga shembja e urës Morandi. 

“Tgcom” raporton se ka ndërruar jetë edhe një prej të plagosurve, shetasi rumun 36-vjeçar Marian Rosca. Më herët gjatë ditës u zhvillua ceremonia shtetëore në kujtim të viktimave të kësaj tragjedie.

Ora 14:34
Conte ngushëllon nga afër familjet e viktimave

Gjatë ceremonisë shtetërore në Genova për nder të viktimave të humbura nga shembja e urës Morandi më 13 gusht, ishin të pranishëm edhe krerët më të lartë të shtetit italian.

Siç shihet në fotot e publikuara nga mediat italiane, vetë kryeministri Giuseppe Conte i ka takuar me radhë anëtarët e 18 viktimave që morën pjesë sot në ceremoni.

Kryeministri italian Conte me familjarët e viktimave

Conte shihet afër familjarëve të Marjus Djerrit dhe Admir Bokrinës, dy shqiptarëve që vdiqën gjatë tragjedisë, shokë me njëri-tjetrin.

Kryeministri Conte duke takuar familjarët e viktimave
Ora 12:02
Humbi jetën në tragjedinë e Genovas, miqtë dhe shokët dedikime prekese për Marjus Djerrin(FOTO)

Ditën e sotme u zhvillua ceremonia mortore e viktimave të tragjedisë së Genova-s. I riu shqiptar Marjus Djerri, ishte njëri nga viktimat e kësaj tragjedie. Prej vitit 2015 i riu luante në rolin e sulmuesit në skuadrën amatoriale Black Out të provincës së Genovas. Miqtë e tij kanë bërë dedikime me pankarta dhe bluzën sportive, ku shprehin ngushëllimet për mikun e tyre, i cili u përcoll sot për në banesën e fundit. 

Dedikimi i miqve për Marjus Djerrin
Ora 11:28
Tragjedia e Genova-s, as Pandeli Majko, as Ditmir Bushati në ceremoninë shtetërore

Ndonëse ceremonia shtetërore e përcjelljes së viktimave të tragjedisë në Genova ka nisur, gazetari Alban Daci raporton për Shqiptarja.com dhe Report Tv se asnjë ministër i kabinetit qeveritar shqiptar nuk ndodhet në ceremoni.

Ishte përfolur që pjesë e nderimeve, duke qenë se mes viktimave janë edhe dy shqiptarë, të ishte ministri i Diasporës, Pandeli Majko, por deri më tani ai nuk ka shkuar. 

Përveç ministrit të Diasporës, edhe ai i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati mund t’ju ishte bashkuar homazheve në shtetin fqinjë, duke qenë se mes viktimave janë edhe dy shqiptarë. Por asnjëri prej tyre nuk e ka parë të arsyeshme të jetë pjesë e nderimeve. Në ceremoni siç mëson Report Tv ishte vetëm konsullja e Milanos, Anila Pojani.

Ora 11:22
Krerët më të lartë të shtetit italian në ceremoni

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, Kryeministri Giuseppe Conte, si dhe ministra të kabinetit marrin pjesë në këtë ceremoni.  Po ashtu janë edhe Presidenti dhe Drejtor i Përgjithshëm i Autostrade per l'Italia Fabio Cerchiai  dhe Giovanni Castellucci.

Ceremonia kishtare do të udhëhiqet nga kardinali Angelo Bagnasco. Salla po mbushet me njerëz, pritet të marrin pjesë mbi 5 mijë veta. Rreth 400 oficerë të zbatimit të ligjit po patrullojnë zonën

a.me./b.ha.
Komento

Komente

  • Eli: 18/08/2018 11:59

    Tani eshte zhdukur ministri i Diaspores do kujtohet perseri per emigrantet kur Te afrohen zgjedhjet

    Përgjigju