TIRANE - Zbulohet një rast korrupsioni në Prokurorinë e Tiranës. Kamerat e sigurisë së institucionit dhe përgjimet telefonike ngrejnë dyshime se janë paguar 2 mijë euro te prokurori i Tiranës, Përparim Hasa përmes avokates Donada Lepenica, me qëllim ndryshimin e akuzës për një të pandehur.
Prokurori i Tiranës është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ndërsa është arrestuar avokatja. Paratë janë paguar nga një i pandehur i cili ka kërkuar ndryshimin e akuzës nga prokurori i çështjes.
Prej 4 ditësh, Krimet e Rënda kanë bllokuar serverin e kamerave të sigurisë së Prokurorisë së Tiranës. Pamjet filmike kanë fiksuar momentin kur avokatja futet në zyrën e prokurorit. Ndërsa nga përgjimet telefonike zbulohet se avokatja i drejtohet të pandehurit që ajo mbron se, "gjithçka e kam zgjidhur me prokurorin". Biseda me të akuzuarin është bërë pak çaste pas takimit të saj me prokurorin e Tiranës, Përparim Hasa, në zyrën e këtij të fundit.
Report Tv ka mësuar se prokurori ka mohuar akuzat ndaj tij, por burime nga Krimet e Rënda pohojnë se biseda telefonike e përgjuar e avokates me të pandehurin është bërë në të njëjtën ditë kur ajo ka takuar Hasën në zyrën e tij në Prokurorinë e Tiranës. Dhe prandaj ka dyshime të arsyeshme për mitmarrje të prokurorit në bashkëpunim me avokaten dhe dy sekserët e arrestuar gjithashtu Yzeir Bala, 32 vjeç, banues në Tiranë dhe Megi Naksi, 31 vjeçe, banuese në Tiranë.
Gjykata e Krimeve të Rënda do japë nesër (e premte) në orën 10:00 masën e sigurisë për avokaten e arrestuar, Donada Lepenica si dhe prokurorin e Tiranës, Përparim Hasa.
Njoftimi i Policisë për ngjarjen:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Ndërmjetësi”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë. Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest me burg” për 3 shtetas.
Vepra penale në ngarkim të tyre “Korrupsioni aktiv i Gjyqtarit, Prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 319/25 i Kodit Penal.
Specialistët për Hetimin e Korrupsionit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Ndërmjetësi”, bënë ekzekutimin e Vendimit Penal të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, e cila ka caktuar masën e sigurimit “Arrest me burg”, për shtetasit :
- Donata Lepenica, 57 vjeçe banuese në Tiranë (avokate private në qytetin e Tiranës )
- Yzeir Bala, 32 vjeç, banues në Tiranë
- Megi Naksi, 31 vjeçe, banuese në Tiranë
Për shkak të hetimit nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera. Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.