Skandali me pronat, arrestohet ish-deputeti i PS, Arben Ndoka me vëllanë

21 Tetor 2018, 18:28 | Përditesimi i fundit: 2018-10-21 21:47:54

Pas arrestimit të Arben Çukos për korrupsion në Burgje, pasditen e sotme është arrestuar edhe një tjetër ish-deputet i Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Ai nuk ka bërë rezistencë në momentin që është arrestuar në Lezhë, ndërsa REPORT TV transmetoi LIVE momentin kur u dërgua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ai është prangosur nga RENEA pasditen e sotme së bashku me disa persona të tjerë, njëri prej të cilëve është Xhevahir Ndoka, vëllai i ish-deputetit.

Arben Ndoka me vëllanë dhe personat e tjerë janë prangosur me akuzën e tjetërsimit të pronave në Lezhë në kuadër të dosjes ku u prangos në mars të këtij viti edhe kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj i zgjedhur nga PD, të cilin më pas Gjykata e Apelit në Shkodër e liroi nga burgu për të vijuar hetimet në gjendje të lirë.

Ish-deputeti Arben Ndoka akuzohet për falsifikimi të dokumenteve, vulave, stampave ose i formularëve, shpërdorimi i tokës në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash në zonën bregdetare në qarkun e Lezhës.