Arrestohet në Tiranë Safet Bajri, i cilësuari si “i forti” i Shkodrës

22 Shtator 2018, 11:36

Arrestohet në Tiranë Safet Bajri (Rustemi), i njohur edhe si “i forti” i Shkodrës. Arrestimi është kryer mbrëmjen e djeshme në zonën e ‘Xhamllikut’ nga policia e kryeqytetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe prokurorinë e Shkodrës ndërsa aksioni ende vijon. Operacioni ka nisur pasditen e djeshme rreth orës 17:00 në Tiranë dhe Shkodër njëkohësisht për të goditur fisin Bajri.

Report Tv sjell pamjet nga operacioni që është realizuar pasdite në lagjen Dobraç në qytetin verior të Shkodrës, ku banon familja Bajri, ndërsa janë kryer kontrolle të shumta në banesa. Por, Safet Bajri është arrestuar në Tiranë së bashku me tre persona të tjerë në zonën e ‘Xhamllikut’, ndërsa në Shkodër janë ndaluar disa persona të tjerë të fisit, por emrat ende nuk bëhen publikë nga policia. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se janë prerë mbi 15 urdhër arreste.

Ai theksoi se Safet Bajri është arrestuar për llogari të drejtësisë belge, pasi është dënuar në Bruksel me disa vite burg për disa vepra penale, ndërsa aktualisht ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës në pritje të vendimit nëse do të ekstradohet për të vuajtur dënimin.

Ndërkohë që gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno shprehet se sipas burimeve nga prokuroria, Bajri është arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare pas kallëzimit të disa biznesmenëve në qytetin verior për gjobëvënie. Ende nuk dihet roli i Safet Bajrit në këtë procedim, por nëse 42-vjeçari do të ketë telashe me drejtësinë shqiptare bllokohet ekstradimi në Belgjikë. Ligji nuk lejon ekstradimin përsa koha ka procedim edhe në Shqipëri. Ndërkohë që ne rastin konkret nuk kemi marrëveshje ekstradimi me Belgjikën, prandaj duhet të bëhet njohja e dënimit në Shqipëri.

Safet Bajri është shprehur pak kohë më parë se me drejtësinë shqiptare, por edhe atë blege nuk ka asnjë problem, por prokuroria mendon ndryshe duke lëshuar urdhër arrestin. Safet Bajri është cilësuar nga opozita shqiptare si pjesë e familjeve kriminale që veprojnë në qytetin e Shkodrës.