Artistët në Komisionin e Medias, mungojnë përfaqësuesit e pozitës

13 Qershor 2018, 17:38

Një përfaqësi e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ishin të pranishëm në një seancë dëgjimore në Komisionin e Medias dhe Edukimit, ndërsa deklaruan i kanë dërguar një letër Presidentit dhe kryetarit të Kuvendit duke kërkuar që të anulohet vendimi për prishjen e godinës. Ata paralajmërojnë se nëse deri ditën e premte nuk do të kthehet një përgjigje, do të uzurpojnë godinën e Teatrit Kombëtar.

I kemi përgatitur një letër drejtuar Presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera. Shprehim indinjatën për projektligjin e Ministrisë së Kulturës për të shkatërruar goditën e Teatrit. Projektligji është propozuar pa marrë në konsideratë opinionin tonë. Prezantohet në formën e një kontrate të mbyllur. Parlamenti zhvendoset nga detyra për të hartuar projektligje, kthehet në noter. Vendimi mund të krijojë një kolaps në vend. Nëse deri të premten nuk do të kemi reagim, atëherë do të uzurpojmë godinën e Teatrit Kombëtar, si e vetmja formë që zëri jonë të dëgjohet.

Përfaqësia e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar
Shumica nuk ishte e pranishme në Komisionin e Medias, ndërsa më pas u realizua dëgjesa me aktorët, pasi ministrja Kumbaro kishte refuzuar ftesën për të raportuar. Aktori i njohur Robert Ndrenika u shpreh se mungesa e shumicës tregon se këtu duhet të fillojë 'lufta’. Ndrenika theksoi se aktorët janë përbuzur dhe braktisur, ndërsa projektin e ri e cilësoi si vjedhje.